Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka sulmuar rëndë deputeten e partisë së tij, Vjosa Osmani, e cila sot bashkë me bashkëpartiakët e saj deputetë, Armend Zemaj dhe Haxhi Avdyli, ka vizituar kullën e Isa Boletinit në Boletin të Zveçanit.
Deputetja Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “në kullën e Isa Boletinit, komuna e Zveçanit, në veri të vendit, pamë sërish dëshmitë e përpjekjeve shekullore për liri, të bartura brez pas brezi në trojet e të parëve tanë, të cilat sot po bëhen pjesë e pazareve të rrezikshme dhe luftë-nxitëse. Këta gurë janë dëshmi e qëndresës sonë, dhe ky vend, ashtu siç bëri historinë në të kaluarën, do e vërtetojë sërish se Kosova nuk ka tokë për t’i dhënë Serbisë”.
Ndaj postimit të deputetes Osmani ka reaguar nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili përkrah idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka ironizuar me bashkëpartiaken e tij, duke thënë se “Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi”.
Postimi i plotë i Hazirit:
“Nuk po çuditna me Armend Zemajn e Haxhi Avdylin, por po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi.
Po i kallxoj asaj dhe krejt atyne që ‘shesin men’ për vota se qysh e kam pru simbolikisht Idriz Seferin n’Gilan, kam me e pru edhe vendlindjen e tij në Kosovë, Preshevën. Kam me e pru edhe Bujanocin, edhe Medvegjën, edhe autostradën, e edhe hekurudhën.
Kosova Lindore ka me qenë Kosovë. Tash asht koha. E kemi amanet me e ba të mundun. Kush e konteston këtë fakt, fort marre duhet me i ardhë!