Fundjava tre ditore duhet të jetë një normë. Kjo është kërkesa e sindikatës kryesore të punonjësve në Britaninë e Madhe që argumenton se teknologjia e re krijon pasuri mjaftueshëm.
Sipas sindikatës TUC, një javë pune katër ditëshe, pa reduktim page, është e arritshme në një kohë kur teknologjia e re mund të rrisë produktivitetin duke reduktuar sasinë e kohës së shpenzuar në punë.
Në shekullin e 19, sindikatat bënin fushatë për një ditë pune tetë orëshe. Në shekullin e 20, ne kemi të drejtën e një fundjave dy ditore dhe pushimeve të paguara ndaj edhe mund të shpresohet se në vitet në vijim, java katër ditëshe e punës mund të bëhet realitet.
Sipas të dhënave, mbi 1.4 milionë britanikë punojnë aktualisht shtatë ditët e javës ndërsa 3.3 milionë njerëz punojnë më shumë se 45 orë në javë. Sipas vetë punonjësve, stresi dhe orët e gjata në punë janë shqetësimet më të mëdha, pas pagës.
Sindikatat preferojnë të marrin si shembull Amazon, themeluesi i të cilës, Jef Bezos është njeriu më i pasur në botë, por stafi i tij është shumë i pakënaqur. Sipas të dhënave, 91 për qind e stafit të Amazon nuk do t’ia rekomandonte të punonte për kompaninë një miku dhe 89 për qind ndjehen të shfrytëzuar. Në fillim të këtij viti, një kompani në Zelandën e Re, testoi javën e punës katër ditëshe dhe drejtuesi i saj, foli për sukses.
Të 230 punonjësit e kompanisë Perpetual Guardians, morën pjesë në një eksperiment tetë javësh dhe të gjithë treguesit, përfshirë nivelin e stresit, balancën punë-jetë dhe angazhimin ndaj kompanisë, u përmirësuan ndjeshëm në fund të periudhës së testimit. Produktiviteti ndërkohë, mbeti stabël.