E mërkurë, 02 Nentor 2016 – Sakte.net
Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, është thirrur si dëshmitar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në rastin e fundit të Fatmir Limajt. Lajmin për ‘Indeksonline’, e ka konfirmuar vet Selimi.
Ai dëshminë e tij për këtë rast e ka dhënë vetëm disa ditë para ngritjes se Aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale.
“Sikur edhe në rastin Limaj në Hagë, poashtu edhe në rastin që po e heton Prokuroria Speciale ndaj Z Limaj, jam thirrur si dëshmitar”, ka thënë Selimi.
Ai ka thënë se nuk mund të ndaj hollësi nga dëshmia e tij për shkak të procesit, por thotë se dëshminë e ka dhënë duke besuar thellë në pafajësinë e Limajt i njohur në luftë si komandant ‘Çeliku’.
“Unë pres që edhe në këtë rast të dëshmohet pafajësia e tij”, ka shtuar Selimi.
Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për mos parandalimin dhe mos hetimin e vrasjes se dy personave gjatë luftës se fundit në Kosovë. Ndërsa, mbrojtja e Fatmir Limajt ka thënë se përgjegjësinë për këto vrasje e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E në anën tjetër, eksponent të lartë të Nismës për Kosovën, ngritjen e aktakuzës e kanë vlerësuar si përndjekje ndaj personalitetit të Limajt. Haxhi Shala, i njohur në luftë si komandant ‘Topi’ ka thënë ditë më parë për ‘Indeksonline’, se një ditë ata do të flasin me emra se nga kush po përndiqet Fatmir Limaj.