Në katedralen e Prishtinës po vazhdon të nderohet kardinali me famë botërore, Theodore McCarrick, i cili po përflitet për pedofili. Ndonëse i njëjti po akuzohet se për dekada ngacmoi seksualisht fëmijë, fotografia e tij po vazhdon të mbahet me krenari në ambientet e katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë. Aty duket se do të mbesë edhe gjatë, pasi që në Ipeshkvinë e Kosovës janë në pritje të ndonjë urdhri nga Vatikani për ta larguar.
Akuzohet se abuzoi seksualisht me fëmijë, por për prijësit fetarë të Kishës duket se kjo nuk po paraqet problem.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 1 muaj që prej se kardinali me famë botërore, Theodore McCarrick dha dorëheqje nga Kolegji i Kardinalëve, pasi u akuzua për abuzim seksual me fëmijë, në Ipeshkvinë e Kosovës po sillen sikur të mos ketë ndodhur asgjë e jashtëzakonshme.
Ata po vazhdojnë ta nderojnë 88-vjeçarin, pavarësisht akuzave ndaj tij, duke e mbajtur me krenari fotografinë e tij në hapësirat e Katedrales “Nënë Tereza”, në Prishtinë.
Se figura e Kardinalit McCarrick po vazhdon të qëndrojë në mozaikun e Katedrales në Prishtinë, këtë e thonë edhe zyrtarë nga Ipeshkvia e Kosovës.
Në Ipeshkvi i kanë thënë Gazetës Express se figura e Kardinalit Theodore nuk është larguar ende nga Katedralja, por nuk kanë dhënë detaje të tjera.
Ata kanë sugjeruar që të kontaktojmë me zëdhënësin e Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqin. Por, i njëjti nuk iu është përgjigjur thirrjeve të Gazetës Express.
Gazeta ka provuar që të marrë detaje të tjera edhe nga Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, por ai ka refuzuar të flasë sapo ka dëgjuar për temën në fjalë.