Rreth 80 deri në 100 punëtorë llogaritet se janë larguar nga puna vetëm gjatë muajit tetor nga kompania “Bechtel- Enka”, e cila është duke e realizuar projektin më të shtrenjtë që nga paslufta në Kosovë.
Kështu po pretendon rrjeti i OJQ-ve në vend, AVONET. Në një prononcim për Gazetën Express, drejtori ekzekutiv i kësaj organizate Kenan Gashi, ka bërë të ditur se kjo kompani në mënyrë masive është duke i larguar punëtorët shqiptarë nga puna duke i zëvendësuar ata me punëtorë nga Rumania, Maqedonia, Turqia e Kroacia.
“Ne e kemi njoftuar edhe kompaninë lidhur me shkeljet që është duke i bërë në raport me punëtorët. Kërkojmë nga Ministria e Punës dhe ajo e Infrastrukturës që të ndërmarrë ndonjë masë”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë që Express lidhur me këtë çështje e ka kontaktuar edhe ministrin e Infrastrukturës, Lutfi Zharkun.
Zharku është shprehur se nuk është në dijeni se kjo kompani po i largon punëtorët kosovarë nga puna.
“Me sa jam i informuar “Bechtel- Enka”, po angazhon ekspertë nga vendet e tjera e jo punëtorë”, ka thënë Zharku.
E ky i fundit ditë më parë në seancën e Kuvendit pati deklaruar se kjo kompani vendos vetë se kë dëshiron ta punësojë.
“Kushtet e kontratës nuk përcaktojnë asnjë kushtëzim për punësim qoftë të punëtorëve vendës apo ndërkombëtarë. Bectel Enka mund të vendosë vetë se kë po e punëson. Bectel Enka ka sjellë në Kosovë personelin profesional që do merret”, kishte deklaruar Zharku.
E Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dashur që të komentojë lidhur me deklaratat se sa është numri i punëtorëve që punojnë në Kosovë nga Rumania. Ministri Hyseni në seancën e mbajtur më 11 tetor nuk ka komentuar pyetjet parlamentare lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë që Gazeta Express ka javë që ka adresuar pyetje lidhur me këtë çështje në kompaninë “Bechtel- Enka”, por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë që rrjeti i OJQ-ve. “Avonet”, shpreh shqetësimin e saj lidhur me angazhimin e punëtorëve të huaj në Kosovë.
“Kosova, është ndër vendet me shkallën më të lartë të papunësisë në Evropë. Kjo është edhe ndër shkaqet kryesore që kemi edhe shkallë të lartë të varfërisë. Sipas të gjeturave tona duke u bazuar, në të dhëna zyrtare, rreth 1500 shtetas të huaj brenda një viti gjejnë punë në Kosovë, duke mos u bazuar në atë se mijëra të tjerë punojnë ilegalisht”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.