Fushata për referendumin në Maqedoni po vjen drejt fundit, derisa partitë kanë në dispozicion të mërkurën dhe të enjten për të mbrojtur qëndrimet e tyre para qytetarëve.
Derisa partitë e koalicionit “Bashkë për Maqedoninë Evropiane” janë në vlugun e fushatës për të bindur qytetarët për të dalë në votimin “historik’ të së dielës, opozita maqedonase nga ana tjetër edhe pse nuk ka bërë thirrje për dalje apo mosdalje në votime, fushatën e saj po e përmbyll me konferenca për media, me propagandë në rrjetet sociale dhe ndonjë tubim të rrallë ndërsa në epiqendër ka sulmet ndaj marrëveshjes “kapitulluese” me Greqinë.
Edhe partitë shqiptare ndodhen në fushatë dhe të gjitha, pa përjashtim janë përqendruar në thirrjet drejtuar elektoratit shqiptar për dalje sa më masovike në votimin e së dielës.
Dalja në përqindje sa më të lartë, apo mbi 50 për qind të trupit të përgjithshëm votues, referendumin do ta bënte të suksesshëm pasi në të kundërtën zbatimi i marrëveshjes me Greqinë, që duhet të kalojë edhe ndryshimet kushtetuese, do të ishte tepër i vështirë.
Maqedonia ka rreth 1.8 milion votues dhe që referendumi të jetë i vlefshëm në votime duhet të dalin mbi 50 për qind e atyre apo rreth 900 mijë qytetarë me të drejt vote.
Bashkimi Demokratik për Integrim fushatën e ka përmbyllur të mërkurën në mbrëmje në sheshin “Skënderbeu” në Çair. Kryetar i kësaj partie, Ali Ahmeti ka thënë se 30 shtatori nuk do të përsëritet asnjëherë andaj siç tha qytetarët duhet ta shfrytëzojnë këtë ditë për të vendosur të ardhmen e tyre.
“30 shtatori është një moment i papërsëritshëm dhe historik, më 30 shtator nuk votohet për një marrëveshje të arritur mes palëve. Më 30 shtator ne flakim nga qafa një gurë që na peshon tash e 27 vite me radhë. Me 30 shtator nuk do të votojmë vetëm për paqen dhe stabilitetin dhe sigurinë të vendit tonë, por për mbarë rajonin e Ballkanit perëndimor”.
“Është një moment historik edhe për të tjerët. Më 30 shtator, ne vulosim dhe ndahemi përgjithmonë nga e kaluara dhe vendoset gurthemeli për të ardhmen evropiane të këtij vendi”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti duke theksuar se pas referendumit dhe miratimit të detyrimeve tjera nga marrëveshja me Greqinë do të zyrtarizohet edhe ligji për gjuhën shqipe, që sipas tij e bën shqipen gjuhë të dytë zyrtare në vend.
Maqedonia në këto tre javët e fushatës së referendumit është vizituar nga shumë personalitete të larta evropiane e botërore, që nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, sekretari amerikan i mbrojtjes, James Mattis, kreu i NATO-së, Jens Stoltenberg e shumë kryeministra e shefa të diplomacive të vendeve anëtare të BE-së.