Rastet e sëmundjeve të zemrës po bëhen çdoherë e më shqetësuese edhe në Kosovë. Kjo pasi çdoherë e më shumë po rritet numri i personave që kërkojnë tretman mjekësor, duke arritur deri në 200 për qind më shumë të rasteve të vendosjes së stendave dhe trajtimeve tjera.
Kështu u tha në konferencën për media me rastin e Ditës Botërore të Zemrës, të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në bashkëpunim me Klinikën e Kardiogjisë dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, tha se kjo ditë po shënohet në të gjitha qendrat rajonale të Kosovës.
“Sot në botë nga sëmundjen vaskulare praktikisht çdo vit shkaktojnë 17 milionë vdekje dhe deri në vitin 2030 është parashikuar të vdesin nga sëmundjet vaskulare rreth 23 milionë njerëz, këto sëmundje shkaktohen nga një sërë faktorësh duke filluar karakteristikat sociale-mjekësore, nga presioni i lartë i gjakut, nga kolesteroli i lartë, nga obeziteti, diabeti dhe faktorët e mënyrës së jetesës. Duke pasur këtë parasysh dhe duke llogaritur uljet modeste të tensionit të gjakut, obozitetit, kolesterolit dhe konsumimit të duhanit në gjithë popullsinë, ne në programe parandaluese, trajtuese dhe rehabilituese, mund të përgjysmojmë të gjitha rastet e sëmundjeve kardiovaskulare të cilat në një përqindje të lart luajnë një rol të konsiderueshëm dhe brengosës në patologjinë kosovare”, ka thënë ai, transmeton kp.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha për këtë ditë pretendohet që të potencohet nevoja e marrjes së masave të duhura në mënyrë që zemra të mbrohet.
“Me gjithë masat e ndërmarra preventive, diagnostike, qoftë shëruese, niveli i vdekjeve nga sëmundjet e zemrës është i madh dhe sëmundjet e zemrës dhe vdekshmëria nga sëmundja e zemrës arrin 31 për qind të të gjitha vdekjeve, qoftë në Kosovë, qoftë në mbarë botën, kështu edhe aktivitetet e Ministrisë së Shëndetësisë, çdo punëtori shëndetësor, çdo individi, kolektiviteti duhet të orientohen në drejtim të sensibilizimit të mjaftueshëm që spunshmëria e zemrës të zvogëlohet. Ne kemi shënuar 1000 raste të stendave të vendosura në institucionet tona publike, gjithashtu, 150 intervenime kirurgjike në zemër, kështu që këto shërbime janë fal angazhimit maksimal të institucioneve dhe punëtorëve shëndetësor“, ka thënë Berisha.
Ai shtoi se në Kosovë janë shumë shërbime funksione në domenin e shërimit dhe diagnostifikimin e sëmundjeve të zemrës, të cilat kanë ndikuar në mirëqenien e qytetarëve.
Përfaqësuesi i QKUK, Tefik Bekteshi ka thënë se QKUK në këtë vit ka bërë shumë në kualitet të shërbimeve që ofrojnë.
“Në Kardiologji kemi 4.468 pranime, duke shtuar edhe 740 pranime në kardiologji dhe kardiologji invazive, pra një numër që flet vet. Kemi 153 operime në këtë vit, nëse krahasojmë me vitin e kaluar kemi pas 99 operime me zemër të hapur, pra çka është një ngritje prej 160 për qind. Deri në këtë ditë kemi bërë 1780 koronografi, krahasuar me vitin e kaluar kanë qenë 845, pra është rritë dy herë e gjysmë më shumë, janë realizuar 1010 stentime, domethënë procedura, gjegjësisht implementuar 1222 stenda, pra kjo është një ngritje nga viti i kaluar ku kanë qenë 55 procedura, për 200 për qind“, ka thënë ai.
Florie Hyseni-Morina nga kujdesi parësor shëndetësor tha se sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku numër një i vdekjeve në botë.
29 Shtatori është Dita Botërore e Zemrës, ditë e cila në shumë vende të botës shënohet duke mësuar për sëmundjet kardiovaskulare.