E enjte, 03 Nentor 2016 – Sakte.net /
Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, duke iu referuar nismës së Presidentit Hashim Thaçi për reformën zgjedhore, ka thënë se tani është koha e duhur për të punuar për këtë çështje.
“Për reformën zgjedhore, ajo është në kuvend tash e sa vite. Të gjithë liderët duhet të pajtohen t’iu japin sinjal komisionit për reformë. Zgjedhjet për afatin e rregullt i kemi në vitin 2018, por tash është koha e duhur për të punuar për reformën që do të jetë e pranueshme për të gjitha partitë politike”, ka thënë Gaxherri në Info Magazine.
Sipas saj, nëse zgjedhjet po janë temë diskutimi çdo ditë atëherë duhet që kjo reformë të përgatitet më shpejtë.
“Në qoftë se po përmendet zgjedhjet çdo ditë atëherë duhet të ulemi ta përgatisim reformën dhe të shkojmë në zgjedhje. Por në zgjedhje nuk mund të shkohet atëherë kur dikujt i teket. Nuk mund të futemi në zgjedhje, e më pas të kemi ankesa se nuk është bërë kjo ose ajo.”
Duke iu referuar sondazhit për zgjedhje, që e liston PDK-në të parën e Lëvizjen Vetëvendosje të dytën, Gaxherri rezultatin e këtij sondazhi e shikon si shumë dëshpëruese.
“Unë kam thënë edhe njëherë se në bazë të sondazhit që ka bërë Vetevendosja. Në këtë sondazh i bie se qytetarët paskan zgjedhur mes “Pronto” dhe “Molotovit”. Këtu PDK ka dalë e para e Vetëvendosje e dyta. Nëse realisht qytetarët mendojnë kështu unë jam thellësisht e dëshpëruar”.
Kur iu referua PDK-së si “Pronto”, Gaxherri, partia e së cilët është në koalicion me PDK-në, ka thënë se ata nuk janë pjesë e kësaj partie.
“Ne jemi në koalicion me PDK por nuk jemi pjesë e PDK. Nëse nuk do të ishim në bashkëqeverisje me PDK, do të ishim me këto partitë tjera”
Gaxherri është shprehur se më mirë do të ishte që këto dy parti të mëdha të jenë njëra në pushtet e tjera në opozitë.
“Kemi programet tona qeverisëse. Për vete në fillim kam qenë kundër koalicionit, pasi jemi paritë më rivale dhe kam menduar se njëra gjithmonë duhet të jetë jashtë pushtetit, pasi do ta rivalizonte tjetrën”.