Me rastin e 25 vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në OSBE, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati ishte i ftuar i Këshillit te Përhershëm të OSBE-së, ku merrnin pjesë Përfaqësuesit e 57 vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së, si dhe ato vendeve partnere për bashkëpunim.
Ministri Bushati theksoi se angazhimi i vendeve pjesëmarrëse në respektimin e parimeve dhe normave që udhëheqin punën e OSBE-së, si demokracia e bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, liritë themelore dhe ato ekonomike, drejtësia sociale dhe siguria mbeten të njëjtat e 25 viteve me parë.
Ai u ndal në reformat e ndërmarra në vend dhe mbi bashkëpunimin me OSBE-në në kuadrin e këtyre reformave, përkatësisht ngritja dhe forcimi i institucioneve demokratike në Shqipëri.
Kryediplomati shqiptar theksoi kërkesën e Shqipërisë dhe të shumë shteteve të tjera pjesëmarrëse të OSBE-së që Kosova të jetë pjesëmarrëse në diskutimet që zhvillohen në forumet e kësaj organizate. “Besojmë fuqimisht, se ka ardhur koha që Kosova, ashtu si çdo vend tjetër i rajonit, së shpejti do të ketë një vend në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së”, tha ai.
Gjithashtu, në fjalën e tij, ai theksoi nevojën për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në rajon, si një element kyç të forcimit të urave lidhëse mes popujve të Ballkanit Perëndimor.
Ministri Bushati falënderoi Kryesinë gjermane të OSBE-së për angazhimin e pakursyer të tyre në implementimin e angazhimeve në kuadrin e OSBE-së si dhe i uroi suksese kryesive të radhës, asaj austriake dhe italiane.