Agron Mustafa me pagë më të madhe se Presidenti i Republikës

Zyrtarët më të lartë të vendit, edhe pse udhëheqin fatin e shtetit, presidenti, kryeministri, ministrat , nuk janë ndër zyrtarët më të paguar në Kosovë. Janë vartësit e tyre, udhëheqësit e ndërmarrjeve publike dhe agjencive të ndryshme të cilët paguhen deri në 6 mijë euro në muaj.

Për shembull, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, nuk mund të shtyhet me kryeshefin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës (TK), Agron Mustafa, pasi ky i fundit në vit merr pagë vjetore mbi 50 për qind më shumë se shefi i shtetit. Mustafa, edhe pse çdo vit ka rënie të fitimeve të PTK-së, në Agjencinë Kundër Korrupsion (AAK) ka deklaruar pagë mujore nga Telekomi i Kosovës në vlerë prej 5 mijë e 182 euro dhe pagën e kolegjit privat AAB, 1 mijë e 200 euro. Paga vjetore e kryeshefit të PTK-së e tejkalon vlerën prej 70 mijë euro. Ndërsa i pari i vendit në vit realizon të hyra nga paga 34,478.00 euro.

Nuk mund të anashkalohet as kryeshefi i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, i cili pavarësisht sfidave që ka me performancën e dobët të kompanisë ku mbi 90% e të hyrave shkojnë në paga. Ai në vit nga dy pagat që i ka deklaruar në Agjencionin Kundër Korrupsion merr 39 mijë euro.

Vështirësi dhe përformancë të dobët ka kohë që ka edhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ku si pasoj e dobësive të menaxhimit Kuvendi i Kosovës këtë vit nuk i ka miratuar raportin e vitit paraprak. Por kjo nuk ka ndikuar në uljen e pagës të udhëheqësve të saj, ish drejtori menaxhues Avni Jashari, në vit sipas deklarimit të tij në AKK, merr pagë 50,295.00 euro.

Mbi 32 mijë euro të hyra vjetore nga pagat i ka deklaruar se i merr edhe kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) Arben Gjuka. Ai në vit i merr pagë 28,963.0 euro vetëm nga KEK-u, ndërsa merr edhe 4,800.00 euro pagë nga universiteti privat UBT.

Kryeshefi ekzekutiv në kompaninë për Menaxhimin e Deponive, Avdullah Haxhiu, përveç pagës që merr, shteti i ka mundësuar pagesën e ushqimit, fjetjes dhe pagesë stimulimi. Haxhiu në Agjencinë Kundër Korrupsion i ka deklaruar të hyra nga paga 16,547.67 euro, mëditje 994.91 euro, fjetje dhe ushqim 1,779.59 euro dhe 2,394.00 euro stimulim.
Redaksia e “KosovaPress”, disa javë më herët kishte paraqitur shqetësimet e legjislativit , të cilët në vazhdimësi atakohen me këtë problematikë e që janë anëtarët e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa .Të cilët, pothuajse në të gjitha raportimet financiare të agjencive që janë të themeluara nga Kuvendi, kanë ngritur si shqetësim pagat e larta . Kryetari i këtij komisioni, Naser Osmani, ka thënë me herët se vazhdimisht janë ballafaquar me caktimin e pagave pasi ka mungesë të ligjit të posaçëm që do të rregullonte pagat e funksionarëve të lartë.
“Ne jemi vazhdimisht në pritje që të vije draft ligji për nivelizimin e pagave të zyrtarëve të lartë . Kjo nuk po ndodh. Që disa vite, është kërkesë sidomos e Komisionit për Buxhet dhe Financa që në mungesë të kësaj atëherë ne si Komisionin po duhet ta luajmë rolin e caktimit të pagave për Agjencionet e pavarura e që është ende në fuqi vendimi që kanë nxjerrë Komisioni për Buxhet dhe Financa…Me fjalë të tjera çështja e caktimit të pagave të bordeve po përsëritet vazhdimisht. Kështu që kanë krijuar një autoritet të tyre që e caktojnë buxhetin dhe pagën .

Kjo ndodh në ZRRE, kjo ndodh me Gjykatën Kushtetuese dhe me disa institucione të tjera…,Për shkak të mos nivelizimit të kësaj apo mos krijimit të një hierarkie që paga të jetë në bazë të përgjegjësisë dhe institucionit, atëherë gjithmonë ka kërkesa për rritje të pagave dhe kjo gjë gati është bërë e pa durueshme. Jemi në pritje që Qeveria të procedoj ligjin për pagat e zyrtarëve të lartë”, tha Osmani.

Kritike po thuajse në të gjitha mbledhjet ku raportohen shpenzimet nga ana e agjencive të pavarura është Safete Hadërgjonaj, anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa . Sipas saj, mungesa e ligjit ka bërë që caktimi i pagave të anëtarëve të bordeve të agjencive funksionon me rregullore të trashëguara të UNMIK-ut.

“Paga e bordeve është një shqetësim që po përcillet nga viti në vit dhe nuk po gjendet zgjidhje . Kjo në mungesë të ligjit për pagat e funksionarëve të lartë publik. Ligji në mandatet e kaluara ka ardhur njëherë në kuvend dhe është tërhequr nga Qeveria dhe asnjë herë tjetër nuk ka ardhur në Kuvend….Pagat e bordeve duhet të dallohen sepse ka borde që janë borde ekzekutive janë këshillëdhënëse dhe borde mbikëqyrëse dhe të gjitha nuk paguhen në mënyrë të njehët. Mirëpo këto janë paga që janë trashëguar qysh në kohën kur ka qenë UNMIK-u. Disa janë me paga më të larta disa janë më të ulëta nuk ka nivelizim të pagave në mes të bordeve të cilat janë ekzekutive por nuk ka rregull në përcaktimin e pagave as në bordet këshillëdhënëse dhe në bordet të cilat e luajnë rolin mbikëqyrës”, tha Hadërgjonaj.

Ajo ka shtuar se Qeveria në strategjinë e saj në të gjitha mandatet e ka paraparë hartimin e ligjit dhe për këtë arsye thotë se Kuvendi nuk ka mundësi të inicimit të këtij ligji.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme