Veseli: Të hënën emërohen ministrat e zv/ministrat e rinj të PDK-së

Kryeparlamentari, njëherësh kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli ka thënë se të hënën do të emërohen ministrat dhe zëvendësministrat e rinj të Qeverisë së Kosovës.

Veseli, i cili është në vizitë zyrtare në Hungari, i tha RTK-së se PDK-ja tashmë e ka listën e ministrave të rinj dhe se finalizimi i procesit të riformatimit të qeverisë do të bëhet pasi edhe kryeministri, Isa Mustafa të kthehet nga vizita në Londër.

“Ky proces, nga ana e PDK’së do të jetë i përfunduar shumë shpejt. Ne vetëm e kemi përfunduar, do të kemi emra të ministrave të rinj, do të kemi disa lëvizje të zëvendësministrave dhe sapo të kthehem nga kjo vizitë zyrtare, besoj që edhe kryeministri i Qeverisë së Kosovës do të kthehet nga vizita zyrtare në Londër, ne do të ne do ta finalizojmë këtë proces. Veçanërisht PDK’ja do ta finalizojë pjesën e vet. Për aq sa do ta vazhdojmë koalicionin qeverisës do të mundohemi të jemi efikas dhe të përgjegjshëm për detyrimet tona karshi qytetarëve tanë.”

“Do të ju tregoj shumë shpejt (emrat e ministrave të rinj). Është më shumë çështje e korrektësisë sepse nuk ka asgjë diskrete. Ne do t’i bartim ato emra tek kryeministri dhe shpresoj që të hënën do t’i kemi emrat e rinj”, u shpreh Veseli.

Duke folur për deklarimin e mëparshëm të tij, lidhur me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, Veseli tha se këto deklarime kanë qenë “të sinqerta”.

“Deklarimet e mija rreth çështjes së vazhdimit të koalicionit apo mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme kanë qenë shumë korrekte edhe shumë të sinqerta. Ne me marrëveshje politike mund të arrijmë çdo lëvizje në interes të qytetarëve. Pa marrëveshje politike ne nuk mund të futemi në aventura”, theksoi Veseli.

Kreu i PDK-së e përshëndeti nismën e presidentit Hashim Thaçi për reformën zgjedhore por tha se bojkoti që i bën partitë opozitare takimit të thirrur nga Thaçi, tregon se opozita “nuk e di se çfarë do”

“Kjo tregon një qëndrim opozitar i cili nuk e di se çfarë do. Për ditë kemi thirrje për zgjedhje por po dëshmohet se s’ka gatishmëri për zgjedhje. Vet fakti që nuk futetet në një proces për reformat zgjedhore tregon për një frikë se nuk do të njihet rezultati zgjedhor”, u shpreh Veseli.

Lajmi.net ka raportuar dje se Partia Demokratike e Kosovës ka përfunduar konsultimet e brendshme për riformatimin e Qeverisë dhe i ka gati emrat e ministrave dhe zëvendësministrave që do të lëvizin brenda dikastereve qeveritare.

Burime të lajmi.net brenda PDK-së kanë treguar se lidershipi i partisë më të madhe në vend ia ka konfirmuar kryeministrit Isa Mustafa emrat e rinj që do të lëvizin dhe emërohen.

Meqenëse PDK tanimë i ka bërë disa ndryshime gjatë muajve të fundit, bëhet e ditur se në këtë proces do ta emërojë miistrin e ri të Integrimeve Evropiane dhe do të emërojë e lëvizë pesë zëvendësministra.

Mësohet se kryeministri Mustafa ka kërkuar mirëkuptimin e partnerit të madh të koalicionit që riformatimin ta mbarojë më së largu në fillim të javës së ardhshme, për shkak të disa konsultave finale brenda LDK-së.

Udhëheqësit e koalicionit qeveritar pritet ta formalizojnë riformatimin gjatë një takimi në fillim të javës e pastaj menjëherë kryeministri Mustafa lritet të zyrtarizojë ndryshimet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme