Zyrtari i Nismës Jakup Krasniqi i ka kthyer përgjigje bashkëpartiakut të tij, pas një zënke që e patën këta të dy ndërmjet vete.
Jakup Krasniqi dje kërkoi falje pse Nisma e ka pranuar Milaim Zekën, i cili sipas tij, me gjuhën e tij po ofendon qytetarët. Më pas erdhi reagimi i Zekës i cili tha se atë nuk mund ta ndal askush që të flasë dhe së shpejti do të flasë edhe për veprimet e vetë Krasniqit, shkruan Periskopi.
Një përgjigje ia ka kthyer Krasniqi Zekës, duke thënë se “heshtjen nuk ia blen askujt”.
Siç bën zakonisht Krasniqi, ai ka filluar ta tregojë veprimtarinë e tij patriotike sa për të treguar se është i padorëzueshëm. Megjithatë, Zeka e Krasniqi ishin miq të mirë me njëri-tjetrin, por duket se akuzat publike të Zekës ndaj Nismës për punësime enorme kanë prishur raportet e tyre.
Milaim Zeka po të njëjtin fjalor e kishte edhe para se të futej në Nismë, prandaj arsyetimet e Krasniqit duken të pabaza.
Replika e plotë e Krasniqit:
Vetëm për interesimin e medieve:
HESHTJEN NUK IA BLEJ ASKUJT
Në jetën time politika nga viti 1973/4 jam përballur vetëm në vitet 1981/82, më akuzën: Bashkim për veprimtari armiqësore e kundërrevolucion. Prej atëherë e deri më sot me asnjë gjykatë nuk jam përballur e as arrestuar. Ndonëse, gjatë lufte e pas saj kam pasur detyra me përgjegjësi goxha të lartë.
Prej atëherë e krejt deri me sot jam përballur me shumë Shërbime Informative dhe argatët e tyre. Për këto kam folur para pak viteve. Disa edhe mund ta vazhdojnë edhe sot. Mbase ai është zanati i tyre i preferuar i mbijetesës! Unë nuk e kam ndërmend heshtjen t’ia blej askujt, për faktin se nuk e kam asnjë vepër që duhet ta heshti! Ndërsa, njerëzillëkun e vet i është dhënë rasti ta tregoi gjithsecili njeri, qoftë ai i politikës apo i medieve. Kush ka dashur e ka parë dhe e ka përcjellë sjelljen e veprimit e secilit nga ne, po e sheh edhe tani për çdo ditë të lume!
Është e shëndetshme që njerëzit shenjtërinë e tyre ungjillore e engjëllore ta tregojnë në Gjykatore, aty ku është vendi ku fitohet pafajësia ose fajësia! Shenjtërorja nuk arrihet me shantazhe e shpifje! As në boks nuk lejohet goditja nën brez. Edhe pse boksin nuk e kam dëshiruar ndonjëherë e as provuar!
Lum ai që arrin t’i ruaj dy gisht fytyrë në ketë kohë të përlyer!