Një atentat mafioz ka ndodhur në orët e vona në qytetin e Durrësit, (22:50) ku gjatë një prite, mbeti i vdekur 39-vjeçari nga Vlora Edison Harizaj, dhe i plagosur rëndë në gjendje kritike për jetën ndodhet shoku i tij i ngushtë Genci Caci, 33 vjeç.
Atentati ndodhi në qytetin e Durrësit, në lagjen numër 13. Harizaj po udhëtonte me një makina Audi, nga Tirana për në drejtim të Vlorës, por në Durrës i është bërë pritë.
Dy persona ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi ndaj makinës duke e lënë të vdekur. Miku i tij, i cili drejtonte automjetin, mbeti i plagosur shumë rëndë.
Menjëherë autorët janë larguar në sens të kundërt të autostradës, ku në zonën e Shën Vlashit, i kanë vënë flakën makinës që përdorën në atentat, për të humbur gjurmët. Automjeti rezulton të ketë qenë i vjedhur, ndërsa më tej atentatorët janë larguar me një tjetër makinë që i priste në Shën Vlash.
Edison Harizaj nuk ka qenë një emër i panjohur për policinë, pasi ka skeda për disa ngjarje kriminale në Shqipëri. 39-vjeçari kohë më parë është përfolur nga një person i arrestuar në Fier, Gazmend Merkaj për zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë.
Ai njihej si Edison Faqedjeguri, pasi në moshë të vogël kishte pësuar një djegie në faqe, ndërsa ka qenë i dënuar më parë për vrasje.
Policia ka nisur hetimet që mbrëmjen e djeshme për të identifikuar dhe arrestuar autorët, por vështirësitë shtohen, pasi vendi ku u krye vrasja nuk ka as kamera sigurie.
Ngjarja e rëndë në Durrës, ka bërë që drejt qytetit bregdetar të niset RENEA si dhe janë ngritur pika kontrolli në Tiranë, Fushë Krujë dhe Kavajë.