Vritet në pritë në Durrës Edison Harizaj, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Një atentat me armë i është bërë 39-vjeçarit nga Vlora Edison Harizaj i cili ka mbetur i vdekur, ndërkohë që i plagosur rëndë mbeti shoku i ngushtë Genci Caci, 33 vjeç. I plagosuri është dërguar fillimisht në spitalin e Durrësit, më pas në Tiranë në Spitalin e Traumës ku ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi ka disa plagë në trup. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.13 në Durrës, ndërsa deri tani janë shoqëruar 12 persona.
Edison Harizaj ishte duke udhëtuar nga Tirana drejt Vlorës, kur i është bërë pritë në lagjen nr.13 në Durrës. Ndaj makinës “Audi” ku udhëtonte Harizaj bashkë me mikun e tij është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Report Tv ishte në vendin e ngjarjes duke rindërtuar skemën e vrasjes, ndërsa sipas burimeve nga grupi hetimor autorët kanë qenë në kundravajtje dhe kanë përdorur dy makina për të kryer atentatin.
Njëra nga makinat i ka prerë rrugën ‘Audi’-t, në këtë moment Harizaj ka frenuar dhe devijuar, ndërsa nga makina tjetër është qëlluar me breshëri automatiku. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar mbi 15 gëzhoja kallashnikovi.
Vendi ku autorët ekzekutuan mikun e Shullazit nuk ka ndriçim, ndërsa më pas u larguan në sens të kundërt të autostradës. Autorët pas atentatit kanë shkuar në zonën e Shën Vlashit të Durrësit dhe kanë djegur makinën me të cilën kryen vrasjen, e cila ishte e vjedhur, më pas u larguan me një tjetër makinë për të humbur gjurmët.
Viktima e këtij atentati Edison Harizaj dyshohet se është ekzekutuar për hakmarrje, pasi ka qenë i përfshirë në zhdukjen e Albano Xhaferrit në Vlorë, por edhe disa ngjarje të tjera kriminale në qytetin e Vlorës. Ai njihej si Edison Faqedjeguri.
Ai ka qenë i hetuar për vrasjen e gjyqtarit Konomi, drogë, vendosje eksplozivi dhe së fundimi rrrëmbimin e Xhaferrit. Ngjarja e rëndë në Durrës, ka bërë që drejt qytetit bregdetar të niset RENEA. Pika kontrolli janë ngritur në Tiranë, Fushë Krujë dhe Kavajë.