Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se rritja ekonomike për vitin 2019 do të jetë 4,7%.
Komisioni për Buxhet dhe Financa ka mbajtur mbledhjen e radhës ku në rend dite ishte i paraparë shqyrtimi në parim i Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Sipas ministrit të Financave, të hyrat totale buxhetore pritet të jenë mbi 1 miliard e 400 milionë euro.
“Nuk është buxhet që i reflekton nevojat e Kosovës, por është një draft-ligj i shqyrtuar në bazë të mundësive, por ka rritje 12,5% se në vitin aktual. Rritja ekonomike pritet të jetë 4.7% në terma realë dhe pritet të jetë më i lartë se viti paraprak. Sa i përket çmimeve pritet një stabilitet i theksuar. Projeksionet mbi të hyrat janë të ndërtuara mbi parimet: politikat tatimore do të jenë mbështetës të sektorit privat, ATK dhe Dogana do të përmirësohen tutje, do të luftohet informaliteti, të hyrat totale buxhetore pritet të jenë mbi 1 miliard e 400 milionë. Investime kapitale kanë rritje për 10% apo 770 milion euro, kjo vjen si rezultat i nevojave”, tha Hamza.
Sipas tij, rritje do të ketë për të gjitha kategoritë ekonomike, ku shtoi se deficiti buxhetor do të jetë 2 për qind në bruto-produktin vendor që është i lejuar.
“Duke u bazuar në rritjen e të hyrave kemi bërë planifikim edhe për shpenzimet. Do të ketë rritje të theksuar në rritjen e kapitalit publik, rritje do të ketë për të gjitha kategoritë ekonomike, në veçanti në nivelin lokal. Kemi rritje të planifikuar mbi shpenzimet rrjedhëse. Deficiti buxhetor do të jetë 2% në bruto-produktin vendor e që është i lejuar. Ky nivel i deficitit do të kombinohet me huamarrje të jashtme dhe të brendshme. Do të ketë huamarrje por assesi huamarrje që dëmton vendin dhe fut në borxh publik. Por trendi i borxhit publik është stabilizu”, tha ai.
Kryetari i komisionit, Lumir Abdixhiku, tha se Qeveria nuk ka fond të mjaftueshëm për formimin e ushtrisë, dhe që, sipas tij, është mjaftueshëm buxheti i ndarë rreth 400 mijë euro për municion.
“Plani i qeverisë dhe buxheti kanë mosperputhje, e kemi diskutuar në Kuvend që Plani i Qeverisë është 8% ndërkaq sot na vjen 4.5%. Jam i shqetësuar për rritjen e borxhit publik në terma real. Shqetësuese është rritja e shpenzimeve prej 12.5% përkundër rritjes së të hyrave 7%. Pjesa më e madhe e buxhetit është social. 100 milionë euro shkojmë në skemën e veteraneve, në Kosovë janë 22 skema sociale dhe është shqetësuese që 54% e buxhetit shkon në paga dhe skema sociale. Është shqetësuese që është ndarë me pak buxhet. Si është e mundur qe po po tentojmë ta trasferojmë FSK-në në ushtri kur vetem 0,7 % shkon në mbrotje, duhet të rrisim këta numra. Kam vërejtje edhe për mënyrën se si shpërndahen buxhetit”, tha ai.
Deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi, tha se ky draft-buxhet është ana më pozitive që ka ndodhur kohëve të fundit në Kosovë
“Sa i përket punësimit, që papunësia ka ra 29% dhe ka qenë në shkallen 30% kurse analizat edhe në këtë projektligj thonë se trusti pensional i numrit të i llogarive është rrit për 2% sipas të dhënave te ATK-së është rrit për 18%.
Ky buxhet është ana më e pozitive që kemi dëshmuar kohëve të fundit. Kjo qeveri e ka rrit buxhetin e Kosovës në 36%.
Për mu vërejtje ka në ndarjen buxhetore nuk kemi ndare për vendin e puneve për të rinjë, kemi pasur deshirë se cilat janë ato ndarje speficike per vendin e të rinjeve” tha ai.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajqi u shpreh i pakënaqur me buxhetin e ndarë për zyrat e kryministrit, dhe shtoi se orientimi i buxhetit në Kosovë bëhet në një kornizë të njëtrajtshme.
“Kemi një ekonomi tregtare dhe joprodhuese e cila do të rriste kapitalin në vend.që në fillim qeverisjet deri më tani nuk do të ishte e drejtë ta trajtojmë se është kjo parti në pushtet, ky trend është refleks i buxhetit. E kemi edhe një rritje drastike në rritjen e zyrës e presidentit dhe të zyrat e kryeministrit.
Në përgjithësi duhet të parë buxhetin në bazë të Qeverisë, se cilat janë programet e asaj Qeverie, dhe ne ketë plan do të shohim se cilat do te jenë realizimet”, tha Lajqi.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Arbërie Nagavci, u shpreh se duke u bazuar në buxhetin e ndarë, që sipas saj, kjo qeveri do të jetë Qeveri e Autostradave.
Nagavci kërkoi nga ministri Hamza se a do të realizohet ligji i lehonave dhe se sa shkolla e çerdhe do të ndërtohen.
“E kisha filluar me buxhetin nuk është as transparent as i konsoliduar, nuk janë të përfshira të gjitha. Projektet që janë të planifikuara mund t’i ndërrohet destinimi dhe të përdoret për çështje personale. Ligji për pagat e mësimdhënësve te viteve 90-ta dhe për FSK nuk është krijuar buxheti për te krijuar një ushtri të mirëfilltë, ligji për FSK janë 11 milion euro më pak është e qartë se nuk ka vizion për formimin e ushtrisë. Nuk është e paraparë as shtesat e fëmijëve pasi që është miratu rezoluta, a donte realizohet apo jo edhe ligji i lehonisë pasi këtu nuk pe shoh. Pse është ndarë gjithë kjo shumë 6,5 është në zyrat e kryeministrit. Shihet se kjo qeveri do të jetë qeveri e autostradave. Por sa shkolla të reja dhe çerdhe të reja do të ndërtohen a janë paraparë”, tha ajo.
Deputetja nga radhët e PDK-së, Safete Hadërgjonaj, sa i përket borxhit publik tha se ky borxh po u ngarkohet gjeneratave të ardhshme.
“Është një fat i mirë qe e kemi buxhetin përpara, dua ta përgëzoj ministrinë dhe stafin ku janë ofru të gjitha të dhëna që arsyetojnë shifrat. Borxhi publik ka pas tendencë për rritje por po shihet se nuk ka pasur rritje, që nga planifikimi ka qenë shumë e kujdesshme qe ti ngarkojmë gjeneratat e ardhshme me borxh. Mirëpo, më gëzoi fakti që planifikimi buxhetor në rritje 4,5%”, tha ai.
Projektligji për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2019, u miratua me 6 vota pro dhe 4 kundër. /kallxo.com