Partia e serbëve kosovarë, në krye të së cilës gjendet ish-kryetari i Listës Serbe, Aleksandar Jabllanovic, ka reaguar ndaj deputetëve të Listës Serbe që janë ‘ngujuar’ në ambientet e Kuvendit kundër taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe.
Ky veprim nga Lista Serbe, po shihet nga Jabllanovic si një veprim për të marrë poena politike para popullit serb në Kosovë, pasi sipas tij ata e kishin përkrahur dikur Qeverinë Haradinaj, kurse tani janë ngritur kundër saj, njofton gazetametro.net.
Sipas tij këto veprime nuk do të sjellin asgjë të mirë për serbët e Kosovës, por vetëm largimin e vëmendjes nga arrestimi i të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanovicit.
“Dëshira e amatorëve politikë nga Lista Serbe për të marrë poenë të lirë në fatkeqësinë e popullit serb të cilën vetë e nxiten duke e përkrahur Qeverinë e Ramush Haradinajt që e vuri taksën 100 %, nuk do të sjellë asnjë të mirë për serbët e Kosovës dhe ka për qëllim vetëm largimin e vëmendjes nga arrestimi i të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, thuhet në kumtesën e PKS’së.
Jabllanovic ka thënë se Lista Serbe ka fjetur gjatë katër vjetëve të kaluar në Kuvendin e Kosovës dhe nuk bëhet asgjë nëse ata flenë aty edhe një natë, njofton gazetametro.net.
“PKS e di mirë se Lista Serbe ka fjetur gjatë katër vjetëve të shkuara në Kuvendin e Kosovës dhe nuk shohim asnjë lëvizje për serbët tanë nëse deputetët e saj flenë edhe një natë në atë Parlament.Kërkohet që Lista Serbe të mos fshihet prapa popullit serb dhe mos ta detyrojë popullin të dalë në protesta të inskenuara, por ta detyrojë partnerin e vet qeverisës Haradinaj në tërheqjen e vendimit për taksën 100 %”, përfundon kumtesa.
Kujtojmë se Jabllanovic isht si ministër për Komunitete e Kthim në Qeverinë e Isa Mustafës, ku ndaj tij ishin organizuar protesta masive pasi i kishte quajtur egërsira nënat gjakovare të cilat po protestonin kundër vizitës së disa pelegrinëve serbë në kishën e qytetit të Gjakovës.