Reagime pro e kundër, një ditë pas miratimit të Rezolutës së Kuvendit për dialog

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë kritikuar miratimin e rezolutës së PSD-së për dialogun me Serbinë.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se votimi i kësaj rezolute, nuk është zgjidhje për dialogun, por sipas tij është zgjidhje afatshkurtër për të mbetur në pushtet koalicioni, siç e ka quajtur ai, i dështuar qeverisës.

“Ky nuk është vendim gjithëpërfshirës, siç dëshiron ta mashtrojë veten dhe adresën e vet ndonjë ndërkombëtar. Kosovës i nevojitet një proces i dialogut dhe marrëveshje e arritur dhe e përkrahur nga shumica e paraparë me Kushtetutë”, ka shkruar Mustafa.

Ndërsa sipas, Vetëvendosjes ekipi negociator nuk është kurrfarë delegacioni shtetëror por një ekip qeveritar. Ky ekip për këtë parti është i papranueshëm.

Kryetari i këtij subjekti thotë se vendi ka pasur tema më urgjente sesa mbajtja e seancës së jashtëzakonshme për dialogun.

“Punësimi e drejtësia, arsimi e shëndetësia, buxheti i ri për FSK-në, të gjitha këto presin, ama dialogu me Serbinë është çështje urgjente, thanë mbrëmë! Kush donte ta zvogëlonte entuziazmin popullor për ushtrinë në Kosovë? Paj, askush si Serbia. Ishte çështje urgjente kjo. Andaj, shpejt u shtrinë”, ka shkruar kreu i VV-së.

Por Kurtit e Mustafës i është kundërpërgjigjur, nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri.

“Po ta lexonin Rezolutën dhe Ligjin edhe Albin Kurti edhe Isa Mustafa do ta kuptonin qartë se të gjitha siguresat vendimmarrëse, procedurale dhe politike e juridike janë paraparë aty. Nuk ka marrëveshje pa njohje!”, ka shkruar Ymeri në reagimin e tij.

Miratimin e rezolutës e ka mirëpritur ambasadori amerikan Philip Kosnett.

“Mirëpresim votimin e së shtunës për miratimin e rezolutës për dialogun. Jemi të inkurajuar të shohim pjesëmarrjen politike për dialog nën udhëheqjen e BE-së dhe me përkrahjen tonë për zgjidhje kreative. Përgëzojmë Kuvendin për delegacionin shtetëror gjithëpërfshirës, e që është kyç për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, ka shkruar ambasadori në Twitter.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme