Një banakier që kishte mbetur pa asnjë kacidhe thotë se u ndje tamam si ai shpellari që zbuloi zjarrin kur kuptoi se bankomati mund t’i jepte atij para sa të donte. Dan Saunders ishte 29 vjeç kur kuptoi se bankomati kishte një problem, pasi i jepte atij çdo shumë që kërkonte të tërhiqte.
Për katër muaj, ai shpenzoi më shumë se 1.6 milionë dollarë, duke blerë bileta udhëtimi me avionë privatë, pushime në ishuj milionerash dhe eskorta të klasit të lartë.
Pavarësisht se u dorëzua në fund dhe kaloi një vit në burg, ai thotë se nuk ndjen asnjë keqardhje.
Gjithçka nisi një natë kur ai donte të blinte pije, por karta iu refuzua. Atëherë shkoi në bankomat që të tërhiqte ndonjë para. Edhe pse kishte 5 dollarë në llogari, ai tërhoqi pa problem 150 dollarë.
Një defekt në makinë bënte që ai të tërhiqte sa para të donte nga ora 12 e natës deri në orën 1. Në mënyrë befasuese, banka as që e vinte re që ai nga mesnata niste të tërhiqte shumat që i donte qejfi.
Australiani thotë se tentoi që të fitonte shumën që tërhiqte duke luajtur bixhoz, por ishte e pamundur pasi kumari iu kthye në varësi. Pasi u nda nga e dashura, ai nisi të shoqërohej me prostituta të nivelit të lartë.
Në fund, nga frika se mos e kapnin, filloi të kishte kriza paniku dhe u dorëzua në polici. Pas një viti burg, ai tani punon sërish banakier me 15 dollarë në orë.<►>