Pas dy takimeve në Tiranë, kryeministri Edi Rama sot po zhvillon një takim me studentët në Universitetin e Vlorës. Para nisjes së takimit, disa studentë u ulën këmbëkryq në hyrje të universitetit, ndërsa Rama i ka ftuar që të futen brenda godinës për të diskutuar në sallë për tetë kërkesat e tyre.
Por disa nga studentët kanë qëndruar vetëm pak minuta në sallë dhe janë larguar pas kërkesës drejtuar kryeministrit se duhet të përgjigjet zyrtarisht nëse i plotëson të gjitha kërkesat ose jo. Ndërkohë që me pjesën tjetër të studentëve vijon diskutimi. Kujtojmë që dje Rama u shpreh nga Universiteti Bujqësor se qeveria do të paguajë në janar 50% të tarifës së studentëve, por kërkoi dialog.
Rama kërkoi nga studentët që të ulen në dialog, pasi me kërcënime nuk zgjidhin asgjë. “Në 1990 studentët dolën për të kërkuar kapitalizmin, ndërsa sot duket se po kërkojnë komunizëm. Kush flet është armik, ku del nga radha është tradhtar. Kush dialogun saboton. Ka qenë një këngë të famshme polifonike për tetë pikat, por nuk jemi në atë kohë. Jam dakord kur thoni janë gjëra elementare, por duhet dialog, jo ultimatume e kërcënime. Me ultimatume nuk fitoni asgjë, por do të humbni shkollën. Nuk ka asnjë pikë që në parim është e gabuar. Kjo ishte shuplakë për qeverinë se qeveria ka përgjegjësi”.Pas largimit të disa prej studentëve me thirrjet ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’, Rama reagoi duke u shprehur se kush do të rrijë, kush do të ikë. “Askush nuk është i ndaluar të hyjë, apo i detyruar që të rrijë. Ajo shprehja se nuk flasim me ty se ma mbush mendjen, kjo është paaftësi për argumente, nuk çuditem nga kjo paaftësi, është e dërrmuar nga sistemi i arsimit. Ata që janë në hyrje nuk kanë asnjë ekskluzivitet për protestën. Vijmë te pika kyçe e tarifave, përgjysmimi për të gjithë? Po pse për të gjithë?” tha Rama.Studentët i kanë kërkuar kryeministrit që të japë një përgjigje për tetë kërkesat e tyre, pasi nuk pranojnë dialog. “Nëse nuk jepni përgjigje studentët do i mbledhin me PS, PD dhe LSI dhe do u dërgojnë pastaj…” tha njëri nga studentët.