Një nga njerëzit e parë, që ka bërë orbitën e Tokës, tha për BBC-në se është budallallëk të dërgosh njerëz në Mars. Bill Anders, pilot i modulit hënor të Apollo 8, tha se të dërgosh ekipe njerëzish në Mars është qesharake.
NASA ka në plan që të nisë një mision të ri njerëzor në Hënë. Qëllimi është që të mësohen aftësi dhe teknika të reja që në një të ardhme të afërt të dërgohen njerëz në Mars. Por Anders, 85 vjeç, thotë se është mëbshtetës i programeve hapësinore pa njerëz, për shkak se janë shumë më të lira.
“Pse po nxitohet? Cili është qëllimi? Pse duam të dërgojmë njerëz në Mars? Nuk mendoj se publiku është kaq i interesuar”.
Nga ana tjetër, disa sonda robotike po e eksplorojnë Marsin. Muajin e shkuar në këtë planet mbërriti edhe sonda InSight. Por NASA thotë se ka në plan të rikthehet në Hënë, “e cila do na përgatisë për të dërguar astronautë në Mars”.
“NASA nuk mund të shkojë në Hënë tani. Ata janë kaq të ngurtë. NASA është kthyer kryesisht në një program punësimi”, thotë Anders.
Por Frank Borman, ish-astronaut dhe anëtar i ekipit të Anders, është më entuziast.
“Nuk jam kritik ndaj NASA-s sa Bill. Mendoj se na duhet një eksplorim i fuqishëm i sistemit tonë diellor dhe njeriu është pjesë e kësaj”.
Por kur pyetet për projektet e miliarderëve Elon Musk dhe Jeff Bezos për të eksploruar Marsin, ai thotë: “Më duken pak nonsens. Ata flasin për vendosjen e kolonive në Mars. Kjo më duket pak budallallëk”.