Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se njësitet speciale të Policisë së Kosovës (ROSU), mund të futen në veri të Mitrovicës vetëm në marrëveshje me KFOR-in dhe me pëlqimin e komunitetit serb atje.
“Kjo është e vetmja e vërtetë, kushdo që thotë ndryshe gënjen”, ka thënë ai, shkruan B92, transmeton Gazeta Express.
Vuçiq thotë se këto gjëra janë sqaruar në marrëveshjen e vitit 2013 që u nënshkrua në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ku garantues për ROSU-në ishte KFOR-i, pasi që nuk kishte njësite të tjera sikurse FIT dhe ushtria e Kosovës nuk ishte krijuar.
“Këtë ia kam përsëritur rreth 500 herë Ashtonit dhe zyrtarëve të NATO-s. Nuk duhet të ketë shqiptarë të armatosur me armë të gjata në veri, pa këto dy kushte”, ka shtuar presidenti serb.
Kreu i shtetit serb thotë se për këtë çështje ka dëgjuar versione të ndryshme, megjithatë, sipas tij, nuk ka një marrëveshje tjetër dhe gjithçka është një gënjeshtër.
Hera e fundit kur njësitet speciale të Policisë së Kosovës kishin hyrë në veri, ka qenë gjatë aksionit për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Ky aksion i Policisë së Kosovës kishte nxitur reagime të ashpra të Beogradit, megjithatë KFOR-i në një deklaratë zyrtare, kishte thënë se ishte në dijeni për aksionin. /GazetaExpress/