Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas postimi të parë që kishte më herët gjatë ditës lidhur me unitetin e spektrit politik kundër tendencave të Serbisë, ka reaguar me një qëndrim të dytë duke bërë të qartë se kjo parti nuk do t’i bashkohet ekipit dialogues.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, një postim që kishte gjatë ditës së sotme në Facebook, ftonte pozitën edhe opozitën që të bëhen bashkë kundër tendencave për territor ndaj Kosovës të shtetit serb, raporton lajmi.net.
Kjo u nënkuptua si shenjë e parë që partia e Mustafës, LDK-ja do t’i bashkëngjitet ekipit dialogues.
Mirëpo, në reagimin e tij të dytë, Mustafa thotë se qëndrimet e LDK-së, lidhur me këtë çështje janë të qarta.
Ai thotë se qëndrimet e shprehura më herët nuk përfaqësojnë qëndrimin e kësaj partie se a do t’i bashkohet apo jo ekipit dialogues.
“Pikëpamjet e mia për unitet karshi Serbisë, të shprehura në postimin paraprak, nuk përfaqësojnë pikëpamje se do ti bashkohemi apo bashkëngjitemi asnjë ekipi në dialog por se do ti mbrojmë interesat e vendit si opozitë dhe si parti e cila përfaqëson një trashëgimi të veçantë historike. Qëndrimet e LDK-së janë të qarta”, ka shkruar Mustafa.