Zgjedhjet në LDK nisin në janar, s’ka ende kandidat për Kryetar

Viti 2019’të pritet të jetë vit i zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por, për datën se kur do të fillojnë të mbahen zgjedhjet dhe sa do të zgjasin, këtë ende nuk e kanë vendosur në këtë parti. Derisa thonë se për pozitën e të parit të LDK’së mund të kandidojë secili anëtar, shkruan Gazeta Express.

Kushdo që synon pozitën e të parit të LDK’së mund të fillojë përgatitjet që prej tash. Gjithë kjo për faktin se 2019’ta do të jetë vit zgjedhor në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Për këtë pozitë mund të kandidojë secili.

Së paku kështu deklarojnë zyrtarë të kësaj partie.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri ka thënë se për kohën se kur saktwsisht do të fillojnë zgjedhjet nuk është vendosur ende.

“Nuk kemi marrë vendim ende se kur do të fillojnë zgjedhjet në LDK, dhe sa do të zgjasë ky proces. Dinamikën e përcakton Këshilli i Përgjithshëm dhe kryesia”, ka thënë Beqiri për Gazetën Express.

E për atë se kush mund të udhëheq me këtë parti, Beqiri nuk preferon të japë emra, pasi që siç thotë “është ende herët”.

Deklaron se ata nuk i ndalojnë askujt që të deklarohet apo të shprehë ambicien për pozitën e të parit të LDK’së. Derisa, shton se aktualisht nuk kanë ndonjë kandidaturë të shpallur për këtë pozitë.

“Ne si parti nuk ia ndalojmë askujt që të deklarohet apo ta shprehë ambicien, por aktualisht nuk kemi asnjë kandidaturë të shpallur. Mbetet të shihet në vijim, por tash nuk e shoh të arsyeshme që të jap deklarime, sepse ende është herët deri te zgjedhja e kryetarit”, ka thënë Beqiri.

Ndërkohë, që Kujtim Shala, Lutfi Haziri e Agim Veliu mund të mbesin pretendentë në tentativë për ta marrë kreun e partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’Së, Ismet Beqiri

Kryetari aktual, Isa Mustafa, para disa ditwsh  ka dhënë shenjat e para se me gjithë problemet shëndetësore dhe moshën do të synojë prapë udhëheqjen e LDK’së.

Në një intervistë televizive, ish-Kryeministri ka thënë se do të deklarohet përfundimisht për ambicien për Shef të LDK’së një muaj para se të përundojnë zgjedhjet.

“Këtë çështje do ta diskutojë. Këtë do ta deklaroj një muaj, një muaj e gjysmë para zgjedhjeve për Kryetar”, ka thënë Mustafa për Rubikon të KTV’së.

Ai ka thënë se do të respektohet vullneti i strukturave të partisë që kanë kërkuar edhe në kohën sa ishte me probleme shëndetësore të qëndronte në udhëheqje të partisë.

 “S’do të isha tash në pozitën e Kryetarit vetëm po t’i nënshtrohesha vullnetit personal”, ka shtuar ai.

Deri më tash, janë përmendur tre emra që kanë mundur të jenë Shef të LDK’së.

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri nuk e ka përjashtuar mundësinë që të kandidojë për Kryetar të partisë. Në zgjedhjet e fundit partiake kishte thënë se nuk po i hyn garës me arysen se nuk dëshironte të sfidonte Kryeministrin e asaj kohe që ishte edhe shef partiak.

Kujtim Shala nuk e ka mohuar asnjëherë mundësinë që t’i hyjë garës por edhe ky sikur Isa Mustafa ka thënë se në një garë do të tillë do të hynte nëse ia kërkojnë kolegët dhe anëtarësia.

Agim Veliu gjithmonë përmendet për Shef të Partisë e përfundon nënkryetar.

Ndryshe, Isa Mustafa, kishte marrë LDK’në në fundin e vitit 2010, kur kishte mundur Fatmir Sejdiun.

Prej atëherë, Mustafa ka shënuar tri humbje të zgjedhjeve nacionale, ka humbur Komunën e Prishtinës, por ka rikthyer disa komuna që me herët e kishte humbur LDK’ja përfshirë Pejën, Gjilanin e Lipjanin.

Isa Mustafa ishte rizgjedhur Kryetar i LDK’së në mandatin e kaluar me aklamacion pasi nuk e kishin lejuar të kishte kundërkandidat. Vjosa Osmani kishte dështuar të mblidhte nënshkrimet për ta sfiduar Mustafën.

Vitin e kaluar, Shefi i LDK’së kishte pasur probleme shëndetësore derisa ishte trajtuar Gjermani. Gjatë gjithë kohës, LDK ishte udhëhequr prej Nënkryetarëve të Partisë.

Aktualisht, LDK ka numrin më të madh të deputetëve në Parlament dhe numrin më të madh të Komunave.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme