Oda e Mjekëve të Kosovës ka dyshime se rreth 200 mjekë vendor që punojnë në institucione publike mund të jenë të pa licencuar, kjo pasi ata nuk janë as anëtarë të Odës që me ligj është e obligueshme.
Kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu, në një konferencë për media ka bërë të ditur se të në Odë janë 3681 mjekë të anëtarësuar. Ndërkohë që ka shprehur shqetësimin për mjekët e huaj.
“Deri javën e kaluar kemi pasur 3 mijë e 861 mjekë të cilët janë anëtarësuar, ne kemi menduar çdo herë se kemi rreth 2 mijë e 500 mjekë, në të vërtetë ky është numri i saktë i mjekëve të cilët ofrojnë shërbime shëndetësore në Kosovë. Nga këta janë 23 të huaj të cilët janë anëtarësuar, 327 të cilët punojnë vendas në sektorin privat dhe 300 prej tyre janë të papunë qofshin mjekë të përgjithshëm, qofshin mjek specialist. Neve çka na brengos këtu është çështja e shkeljes së ligjit nga mjekët jo kosovar, sepse informatat tona janë që në spitalet private punojnë rreth 150 mjek”, tha ai.
Sa i përket mjekëve që veprojnë pa licenca, ai ka thënë se rreth 90 për qind e mjekëve të huaj nuk janë të anëtarësuar në Odë, e që pa qenë të anëtarësuar nuk mund të licencohen.
“Vetëm mund të dyshojmë sepse shumica prej tyre nuk janë anëtar të Odës që është shkelja e parë, shkelja e dytë është që nuk ka licencë. Ne nuk mund të dimë përveç sa janë anëtar të Odës dhe të shikojmë a i kanë licencat valide. Ne dyshojmë që mund të jenë 150 deri në 200 flas për vendas që punojnë në institucionet publike. Tek të huajt 90 për qind prej tyre nuk janë anëtar të Odës dhe nuk di se si mund t’i marrin licencat sepse licencat momentalisht për të huajt i lëshon Ministria e Shëndetësisë, e cila nuk ka të drejtë të lëshoj licencë nëse nuk është anëtar i Odës me ligj”, tha ai.
Në konferencën e fundvitit, Sejdiu ka paraqitur disa nga punët që si Odë kanë bërë gjatë këtij viti, transmeton ksp.
Kompetenca e parë që Oda e Mjekëve të Kosovës e ka marrë gjatë këtij viti ka qenë mbikëqyrja etiko-profesionale, ku u bë e ditur se gjatë këtij viti kanë pranuar 21 lëndë, ku ka marrë vendime për 10 lëndë, 7 lëndë të tjera janë përcjell tek Prokurori i OMK, 2 janë në procedurë dhe 2 lëndë kanë qenë me afat të parashkruar.
Kompetenca e dytë ka qenë edukimi i vazhdueshëm profesional, ku Sejdiu u shpreh se problemi kryesor është se institucionet shëndetësore janë duke e shkelur ligjin e shëndetësisë, duke mos ofruar mjaftueshëm sipas obligimeve që i kanë për trajnimin, ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit të vet.
Ndërsa, sa i përket kompetencës së rilicensimit, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka bërë të ditur se brenda vitit kanë lëshuar mbi 500 licenca të reja.
Në këtë drejtim ne i kemi ndërprerë dhe shpall jo valide të gjitha licencat të cilat janë me afat të skaduar, duke filluar nga 1 korriku. Të gjithë ata të cilët nuk kanë licenca valide normal nuk guxojnë as të ofrojnë shërbime shëndetësore. Nuk dimë se sa ka të tillë, nuk kemi një të dhënë të saktë pasi që strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë drejtim nuk kanë një databazë, ne jemi duke e ndërtuar tash. Ne e dimë prej anëtarëve tanë se sa janë, por ka prej atyre të cilët nuk janë anëtarësuar janë edhe nja 200 që nuk e dimë se a kanë licencë apo jo… Në këtë periudhë ne kemi lëshuar mbi 500 licenca të reja”, tha ai.
Sejdiu ka folur edhe faksimilet, ku ka bërë të ditur se nga 1 shkurti i këtij viti do të hyj në fuqi vendimi që mjekët të kenë vetëm një faksimile.
“Mjekët tanë do ta kenë vetëm një faksimile i cili është i autorizuar prej Odës së Mjekëve dhe i prodhuar vetëm prej Odës së Mjekëve”, tha Sejdiu.
Ndërkohë, bëri të ditur se bartja e kompetencës së edukimit specialistik tek Oda e Mjekëve është në proces e sipër.
Ai ka folur edhe për raportin financiar, ku ka bërë të ditur se nga viti 2017 kanë trashëguar vetëm 35 euro dhe se kanë arritur të hyra prej 303 mijë eurove dhe se kanë arritur një bilanc pozitiv prej 121 mijë euro.