Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Bulqizë. Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur, për shkak të një konflikti të agravuar brenda familjes.
Viktima, i cili ka shkaktuar plagosjen e dy personave brenda të njëjtës familje, është Adriatik Jella. Jella mësohet se ka qenë në burg përpara dy muajsh dhe se është liruar së fundmi.
Report Tv raporton se sherri ka pasur zanafillën në Maqellarë, aty ku dhëndri i ka prerë veshët me thikë vëllait të gruas. Në orët e vona të mbrëmjes ai ka shkuar në fshatin Topojan të rrethit Bulqizë për të marrë gruan tek prindërit e tij, por atje ai ka hasur rezistencën e vjehrrit, baxhanakut dhe vëllait të baxhanakut. Kjo rezistencë u shndërrua më pas në përleshje, që përfundoi me vdekjen e tij dhe plagosjen e vëllait të baxhanakut, me mbiemër Delishi.
Sipas njoftimit policor, vjehrri, Veli Çidhnoku, 68 vjeç, është arrestuar për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim, ndërsa dy vëllezërit që u përfshinë së bashku me Çidhnokun në përleshjen me viktimën, janë arrestuar për veprën penale të ‘vrasjes me dashje’, të kryer në bashkëpunim.
NJOFTIMI
Policia zbardh dhe dokumenton plagosjen me mjet prerës të 2 shtetasve, si dhe vrasjen me thikë të autorit të dyshuar të plagosjes së tyre.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në D.V.P. Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër arrestuan në flagrancë shtetasit:
– V.Ç., 68 vjeç, banues në Topojan, për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim;
– G.D., 28 vjeç dhe A.D., 34 vjeç, (vëllezër) për veprën penale të ‘Vrasjes me dashje’, të kryer në bashkëpunim.