Delegacioni nga Kosova për dialog me Serbinë, i votuar në Kuvendin e Kosovës, ndodhet për një vizitë në Bruksel, por kjo nuk kuptohet si takim në kuadër të dialogut i cili tashmë është i bllokuar pasi Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e tij me heqjen e tarifave prej 100 % për importin e mallrave nga Serbia në Kosovë.
Ndonëse në Kosovë tash dy javë është krijuar përshtypja se kjo vizitë ka një rëndësi të madhe, në Bruksel nuk ka ndonjë entuziazëm për të njëjtin. Këtij takimi BE-ja i jep karakter këshillues dhe pret që pjesëtarët e delegacionit të binden për nevojën e heqjes së tarifave, si kusht që Serbia ka vënë për vazhdimin e dialogut, shkruan Koha Ditore.
Delegacioni nga Kosova do të ketë takim me ekspertë të Shërbimit për veprim të jashtëm të BE-së, EEAS, ndërsa shkurtimisht do t’i presë edhe përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini. Sipas burimeve të BE-së, nuk do të ketë kurrfarë takimi me palën serbe, ndërsa vizita ka karakter këshillues.
Në BE shpresojnë që ky delegacion do të luajë “rol konstruktiv” në mbështetje për presidentin Thaçi dhe për përpjekjet e tij për marrëveshje me presidentin e Serbisë.