Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përshëndetur votimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvendin e Maqedonisë, përmes të cilit vendi fqinj merr emrin e ri – Republika e Maqedonisë Veriore.
Haradinaj ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës e ka quajtur hap madhor në rrugën e integrimeve euro-atlantike të shtetit fqinj.
“Kjo ngjarje me peshë në historinë e re të Ballkanit Perëndimor është shpresë që rajoni ynë po shkon drejtë paqës së përhershme. Përgëzoj homologun tim Zoran Zaev për vizionin e dëshmuar properëndimor dhe shqiptarët në Maqedoni për rolin kyç në këto ndryshime”, ka shkruar Harardinaj në profilin e tij në Facebook.
Me votimin e sontëm në Kuvendin e Maqedonisë është miratuar ndryshimi i Kushtetutës dhe nga tani vendi fqinj ka emër të ri – Republika e Maqedonisë Veriore.
Marrëveshja e Prespës është ratifikuar me 81 vota për.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, vendimin e Kuvendit e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen vendit, pasi me këtë mbyllet kontesti 27 -vjeçar me Greqinë për çështjen e emrit, që ka mbajtur për aq kohë të bllokuar edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.