Lajmin e ka konfirmuar për Koha.net edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.
Ai ka bërë të ditur se s’ka të lënduar dhe se si pasojë është ndalur rryma në minierë.
“Në kompleksin Trepça ku është parku industrial një trafo e rrymës ka shpërthyer, larg minierës është, por shkaku i kësaj miniera ka mbetur pa rrymë. Nuk ka të lënduar apo dëme tjera materiale”, ka thënë Sadiku.
KEDS-i ka njoftuar se si pasojë e djegies së trafos në Trepçë, qyteti i Mitrovicës ka mbetur pa energji elektrike.
Sot rreth orës 12:00 ka filluar të digjet një trafo brenda obektit të Trepcës, që është edhe në pronësi të kësaj ndërmarrje. Të njëjtën kohë është këputur linja 110 kV e KOSTT-it në Mitrovicë. Kjo ka bërë që Mitrovica të jetë pa energji elektrike. KEDS ka dërguar menjëherë ekipet në vendin e ngjarjes, për ku është nisur edhe menaxhmenti nga Prishtina për t’u dalë në ndihmë këtyre ndërmarrjeve që të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë. KEDS ka arritur të rikthejë energjinë elektrike për rreth 2/3 e konsumatorëve të Mitrovices, duke e kaluar furnizimin nga linjat që vijnë nga Vushtrria, ndërsa nuk ka alternativë për konsumatorët që furnizohen nga Trepça dhe linja e KOSTT-it në Shupkofc, përkatësisht një pjesë e Mitrovicës dhe fshatrat afër, nga Mitrovica në drejtim të Vushtrrisë”, thuhet në një njoftim nga KEDS-i.