Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person nga Istogu me inicialet S.A, nën dyshimet se i njëjti ka bërë veprime kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, duke shpërndarë pamflete dhe porosi për vrasje, grabitje e maltretim tek qytetarët e Kosovës të cilët i takojnë komunitetit serb.
Sipas komunikatës këto veprim i dyshuari i ka bërë me qëllim të dëmtimit të imazhit të Republikës së Kosovës karshi faktorit ndërkombëtar, konkretisht duke ia faturuar gjithë këto veprime të kundërligjshme popullatës shqiptare.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të dyshuarit i është bastisur edhe shtëpia dhe i janë konfiskuar disa vula të ndryshme.
Të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve me urdhër të prokurorit.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës, më 15.02.2019, në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, ka ndaluar një të person i cili dyshohet se, më 18.07.2018, ka kryer veprat penale ‘sulm kundër rendit juridik të RKS-së’ dhe ‘mashtrim’.
I dyshuari, S.A. viti i lindjes 1957, m,s,k, në dy fshatra: Osojan të Istogut dhe Gorazhdec të Pejës, tek viktimat (meshkuj, serbë, kosovarë) ka shpërndarë pamflete me përmbajte të ndjelljes së frikës, me porosi për vrasje, grabitje dhe maltretime pjesëtareve të komunitetit serb në Kosovë, me qellim që këto veprime të kundërligjshme tu vishen popullatës shqiptare dhe para faktorit ndërkombëtar t’i paraqes si fajtor, duke i kontribuar destabilizimit të situatës së sigurisë.
Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale të RKS-së, është kryer kontrolli i shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të personit të dyshuar. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dëshmitë relevante: nëntë fletore të ndryshme me shënime, tri vula të ndryshme, një kopje e një diplome, shtatë dokumente të ndryshme, një vizitë-kartë, dy zarfe me dokumente, katër telefon celularë, një çantë dore ngjyrë kafe me pesë vula të ndryshme, një çantë e zezë krahu me dokumente të ndryshme si dhe dy fletore me shënime.
Ndaj të dyshuarit është lëshuar akt-vendimi për ndalim prej 48 orëve.