Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se taksa doganore 100 për qind e vendosur ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina do të mbetet në fuqi për aq kohë sa ai të jetë në postin e kryeministrit.
“Shpresoj më dëgjuat shumë mirë. Po e shihni ku kam ardhur për ta thënë. Sa jam unë kryetar qeverie taksa nuk hiqet”, ka thënë Haradinaj gjatë një vizite që i bëri kompleksit memorial në Gllogjan.
Haradinaj ishte këmbëngulës se taksa nuk duhet të hiqet pa njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Haradinaj ka thënë se duhet të ndalet kushtëzimet për Kosovën.
“Nëse ne fillojmë të bëjmë hapa prapa, njëherë kërkohet të hiqet tarifa, nesër mund ta kërkojnë të hiqet Trepça, të hiqet Ushtria, të hiqet diçka tjetër”, ka thënë Haradinaj.
Kreu i ekzekutivit ka folur edhe për raportet e koalicionit qeverisës, duke thënë se të gjithë ka qenë të pajtimit që të vendoset taksa 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
“Kërkoj përkrahjen edhe të partnerëve politikë, edhe pse mund të kemi mendime të ndryshme. Një gjë është e vërtetë, kur e kemi marrë vendimin për taksën, kemi qenë unanim, pra secili ka thënë po. Nuk është mirë askush të provojë të heqë taksën, pa thënë secili po”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj është duke e kundërshtuar kërkesën e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për pezullimin e tarifës ndaj mallrave serbe.
Tarifa është bërë pengesë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi delegacioni serb ka anuluar pjesmarrjen në këto bisedime derisa tarifa të jetë në fuqi.
Në anën tjetër, partneri i koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, përmes kryetarit të saj, Kadri Veseli ka propozuar pezullimin e tarifës për një periudhë 120 ditëshe. (REL)