Kur bëhet fjalë për vjedhje në Kosovë nuk po kursehen as institucionet fetare, për dy ditë janë thyer dy kisha dhe një xhami.
Së fundmi, cak i hajnave ishte Kisha Katolike në Llapushnik.
Kjo kishë u thye të shtunën që lamë pas e nga aty, hajnat morën kutinë humanitare dhe disa të holla.
E Policia e Kosovës, këtë rast e ka cilësuar si vjedhje të rëndë.
Ata bënë të ditur se ky rast është duke u hetuar dhe se deri me tani nuk ka të arrestuar.
Por, kjo nuk është vjedhja e vetme këto ditë në institucione fetare.
Një rast i ngjashëm, ndodhi edhe në një kishë në Suhodoll të Mitrovicës.
Sipas raportit zyrtar të policisë, persona të dyshuar kanë thyer derën e kishës dhe nga aty kanë vjedhur rreth 200 dinarë.
Ju kujtojmë se vjedhje kishte edhe në një xhami të Istogut.
Por këtu, një person ka përfunduar nën pranga, pasi i njëjti dyshohet se ka vjedhur arkën e parave të xhamisë së qytetit.