Ministrja Dhurata Hoxha, ka thirrur një konferencë për shtyp ku, siç është bërë praktikë në disa raste, ka folur për atë që ajo ka pasur dëshirë.
Hoxha nuk ka pranuar pyetje nga gazetarët, e as nuk e ka thënë asnjë fjalë për incizimet nga kamerat në burgun e Prizrenit, ku po qëndronte i paraburgosur, aktivisti i Vetëvendosjes Astrit Dehari, tashmë i ndjerë e që vdiq në rrethana ende të pasqaruara.
Megjithatë, Hoxha ka thënë se që nga dita kur ka pranuar lajmin tragjik, ka vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat brenda mandatit të saj duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet për zbardhjen e rastit, transmeton Koha.net.
Gjatë kësaj konference për shtyp, ministrja e Drejtësisë njoftoi se shumë shpejt pritet raporti zyrtar nga ekipi i Mjekësisë Ligjore lidhur me rastin, i cili do të sqarojë rrethanat e vdekjes së 26 vjeçarit.
Ajo shtoi se ka ftuar publikisht KMDLNJ-në dhe Avokatin e Popullit që të vizitojnë Qendrat e Paraburgimit në mënyrë që të verifikojnë gjendjen e tyre dhe trajtimin që u bëhet nga zyrtarët e Shërbimit Korrektues.
“Jam thellësisht e shqetësuar për tendencën për të paragjykuar rrethanat e rastit dhe rezultatin. Janë bërë shumë deklarime të cilat vetëm sa kanë nxitur opinionin publik duke u nxituar me përfundime para marrjes së raportit zyrtar nga Prokuroria e cila po heton rastin dhe konsideroj se çdo deklarim para marrjes së raporteve zyrtare nga institucionet përkatëse, është në dëm të procesit dhe në dëm të zbardhjes së të vërtetës. Me këtë rast, ju bëj thirrje të gjithëve që të përmbahen nga deklarime që paragjykojnë rezultatin e hetimeve. Konsideroj se duke lënë hetuesinë dhe prokurorinë që të bëjnë punën e tyre, është më e pakta që duhet të bëjmë në këto rrethana. Konsideroj, se këtë ia kemi borxh të ndjerit dhe familjes së tij”, tha Hoxha.
Ajo garantoi se Ministria ka bërë dhe po bën çdo gjë që është në dorën e saj për të siguruar transparencë të plotë dhe për të ndihmuar në zbardhjen e rastit, por me kujdes që të mos dëmtohet procesi i hetimeve.
Mbrëmë, disa media kanë shfaqur videoincizimin nga Burgu i Prizrenit. Menjëherë ato i ka quajtur si të manipuluara avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi. Për Koha.net ai ka thënë se me publikimin e këtyre videove, është duke u tentuar që të vërtetohet diçka para se të dalin rezultatet përfundimtare. E sot ai vet ka treguar se kanë nisur hetimet ndaj atyre që kanë dhënë për media këto incizime.
Prindërit e tashmë të ndjerit Astrit Dehari, Avni dhe Xhemile Dehari, kanë mbajtur një konferencë për media në të cilën kanë shprehur indinjatën me publikimin e atyre incizimeve. Kanë thënë se gjithë anëtarët e familjes po terrorizohen e po maltretohen psiqikisht nga shteti.