Motelet në Kosovë kanë lulëzuar si kërpudhat pas shiut. Janë gjithsej 179 motele ne vetëm më pak se 11 mijë kilometra katror. Rasti i fundit i përdhunimit të vajzës së mitur nga Drenasi ka ngritur një varg pyetjes se sa kontrollohen dhe çfarë veprimtarie po zhvillohet në këto motele. Rasti i vajzës së mitur është një dëshmi shtesë se në këto motele nuk kryhen as procedurat verifikuese se kush i viziton ato.
KosovaPost përkitazi me ketë çështje ka kontaktuar zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë për të kuptuar nëse janë duke u bërë kontrollet e duhura ndaj hoteleve dhe moteleve për veprimtarinë e tyre. Sipas tyre, edhe me projektligjin e ri janë paraparë kritere minimale që duhet plotësuar për ta ushtruar këtë veprimtari. “Sipas ligjit në fuqi për turizmin, rregullohet veprimtaria e strukturave akomoduese përmes kategorizimit dhe klasifikimit të strukturave akomoduese i cili sistem është vullnetar, megjithëse nuk lejohet ekspozimi i yjeve nëse nuk janë të certifikuar nga ministria.
Ndërsa në projektligjin e ri janë adresuar edhe disa kritere minimale që duhet të plotësohen nga strukturat akomoduese dhe është plotësuar mbikëqyrja dhe masat ndëshkimore. Ligji i ri i turizmit pritet të hyj në fuqi në 6 mujorin e parë të këtij viti” ishte kjo një nga përgjigjet që Kosova Posti mori nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Vajza e abuzuar nga Drenasi edhe pse 16 vjeçe kishte hyrë në motele të Kosovës kishte deklaruar se asnjëherë nuk i është kërkuar dokument identifikimi derisa ka qëndruar në motele. Se është domosdoshmëri paraqitja e dokumenteve e thonë edhe në MTI, por shtojnë se u mbetët subjekteve akomoduese t’i zbatojnë ato, derisa për bujtinat e ndërkombëtarëve thonë se ajo është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Sigurisht që është obligim kontrollimi dhe evidentimi i dokumentacionit, mirëpo kjo është çështje e administratës së subjekteve akomoduese, se sa e zbatojnë atë. Ndërsa bujtinat e ndërkombëtarëve obligohen që t’i deklarojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme’’ ka thënë zyrtari për informim në MTI, Elhami Ismajli.
Sipas tij gjatë vitit 2018, përmes Inspektoratit të tregut në MTI, është bërë një Urdhëresë nëpërmjet Inspektoratit të Tregut në MTI ku i është dërguar dokumenti Inspektorateve Komunale që t’i verifikojnë yjet e vendosura nëpër strukturat akomoduese, ndërsa ka premtuar se gjatë këtij vitit do të ketë kontrolle më të mëdha për mbikëqyrjen e kësaj veprimtarie.
Derisa përgjigjet e MTI-së ishin të mangëta sa i përket interesimit të Kosova Post rreth kësaj çështje, përgjigje nuk morëm edhe për kriteret ndaj atyre që duan të hapin biznes Moteli, pasi që sipas tyre ajo është çështje e ARBK-së, Institucion ky që vepron në kuadër të MTI-së.
Edhe në Policinë e Kosovës kanë qenë të rezervuar sa i përket pyetjeve që Kosova Post i ka dërguar në adresën e tyre. Policia nuk ka dhënë detaje se sa lokacione janë bastisur për të parë nëse në hotele e Motele të Kosovës po ushtrohet veprimtari e jashtëligjshme. ‘Policia e Kosovës përmes mekanizmave te saja ndërmerr veprime ne këto lokacione, ne rastet kur posedon ndonjë informacion për kryerje te mundshme te ndonjë vepre penale, dhe varësisht prej natyrës se rastit angazhon edhe njësitet policore’, kanë deklaruar shkurt nga Policia e Kosovës.
Për “rastin e Drenasit” deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur edhe një seancë të jashtëzakonshme ku janë dhënë kritika për abuzimin seksual të një vajze të mitur, e si shqetësim i kësaj ngjarje të ngritur edhe nga vet deputetët, ishte numri i madh i moteleve dhe hoteleve në Kosovë të cilat nuk kontrollohen nga askush. Ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tani deputete e Kuvendit të Kosovës ka kritikuar dikasterin që dikur ka menaxhuar me të se po lejon që minorenet të futen në hotele pa u kontrolluar nga askush.
“Çfarë bën një minorene në hotel, pa u regjistruar askund? Çfarë rregulla sot i ka Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për hotelet? Kush e bën kontrollin e hoteleve nëpër autostrada, që as nuk regjistrohet kush hyn dhe kush del? Cilat janë qasjet ndaj zbulimit të mirëfilltë të rrjetit të trafikimit dhe prostitucionit? Nëse jeni për të pasur prostitucion, atëherë legalizojeni dhe bëni kontrolle të mirëfillta. Minorenet keqpërdoren dhe shfrytëzohen në të gjitha rastet. Kjo është “Maja e Ajsbergut”. Ky rast vetëm e ka shpërfaqur mungesën e zinxhirit institucional, kontrollit të mirëfilltë dhe keqpërdorimit të vajzave” tha Mimoza Kusari-Lila.
Edhe Hikmete Bajrami, deputete e LDK-së ka pasur kritika për numrin e madh të moteleve, edhe pse në legjislaturën e kaluar ajo e drejtonte Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, institucionin ku jepet leja e punës për këto biznese. “Më vjen keq që një fenomen të tillë, nuk e kemi trajtuar më herët, pa ndodhur rasti i Drenasit. Sepse si dukuri e tillë kjo është prezentë dhe po ndodh para syve tanë. Në secilën magjistrale të rrugëve të Republikës së Kosovës ne i kemi motelet, në çdo një kilometër. Ministria e Punëve të Brendshme asnjëherë nuk ka dalë të tregojë se a ka bastisur ndonjë apo jo. Në fakt, po ndodh prostitucion, po ndodh trafikim me qenie të gjalla. Pothuajse është legalizuar, sepse po ndodh para syve tanë, para syve të institucioneve”, tha deputetja Bajrami.
Ndryshe, Kosova Post ka parë se bazë të regjistrit në MTI ku janë evidentuar strukturat akomoduese që janë aktive, numri më i madh i objekteve akomoduese është në komunën e Prishtinës e cila ka 42 hotele dhe 14 motele, pastaj Peja me 20 hotele dhe 9 motele, Prizreni me 34 hotele dhe 12 motele, Ferizaj me 4 hotele dhe 33 motele etj. Por në bazë të këtyre statistikave komuna e Ferizajt prin për nga numri i madh i moteleve që janë gjithsej 33 motele.