Ministri në Detyrë i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka takuar homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, me ç’rast ua ka shprehur gatishmërinë dhe mbështetjen e Shqipërisë drejtuesve më të lartë të shtetit maqedonas për thellimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe mbështetjen reciproke mes vendeve në rrugëtimin euro-atlantik.
“Maqedonia e Veriut nuk është vetëm vend mik, por edhe partner për Shqipërinë. Pjesë e suksesit të Maqedonisë së Veriut, janë edhe shqiptarët që jetojnë këtu, duke u nisur që nga Marrëveshja e Ohrit deri tek Marrëveshja e Prespës. Sot me homologun Dimitrov diskutuam për një varg çështjesh, për domosdoshmërinë e zgjerimit të marrëdhënieve bilaterale, si dhe bashkëpunimin për të qenë një zë i fuqishëm i njëri-tjetrit në çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh Cakaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Dimitrov, raporton Koha.net.
I njëjti mesazh u konfirmua edhe nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov i cili nënvizoi se: “Shqipëria dhe Maqedonia kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe do të vazhdojnë të mbështesin njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve euroatlantike”.
I pyetur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Cakaj u shpreh se “Në këtë kontekst, vizita ime në Shkup duhet vështruar pikësëpari si një shprehje e gatishmërisë sonë për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, por edhe si mbështetje pa ekuivok ndaj fqinjit tonë lindor për avancimin e integrimit euro-atlantik, përmes shtet-konsolidimit dhe ndërtimit të një shoqërie kohezive që respekton bashkëjetesën ndëretnike, barazinë në të drejta dhe detyrime për popullsinë shqiptare, si dhe zbatimin e angazhimeve të marra në kuadër të Marrëveshjes së Ohrit”.
Një ditë më parë, ministri Cakaj u takua me liderët e partive shqiptare, Kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, Kryetarin e PDSH-së Menduh Thaçi, Kryetarin e Lëvizjes BESA Bilal Kasami, Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, si dhe me Kryetarin e Partisë Alternativa, Afrim Gashi.
Në këto takime diskutimet u përqendruan në hapat pozitivë që Maqedonia e Veriut ka shënuar së fundi, falë kontributit të pazëvendësueshëm të faktorit shqiptar, në proceset integruese Euro-Atlantike.