Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, theksoi se ka shkelje ligjore dhe keqpërdorime financiare sa i përket ndarjes së mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.
Në seancën e jashtëzakonshme për këtë çështje, ai tha se janë dy pika që përcaktojnë qartë shpenzimet e paparashikuara, ku tregohen rrethanat për marrjen e fondeve dhe e dyta që shpjegon se si këto rrethana nuk mund të parashikohen.
“Shpenzimet për festën e Pavarësisë janë tronditëse. Kjo qeveri a nuk e di kur është Pavarësia!?”
“Çdo vit është e njëjta datë, nuk lëkundet. Si është e mundshme që shpenzimet për Pavarësi të merren nga ky fond dhe gjithmonë me lëkundje shumë të mëdha financiare”.
Konjufca tha se është lënë mundësia për keqpërdorime financiare të mëdha, si dhe komentoi ndarjen e mjeteve financiare nga fondi i rezervave shtetërore për presidentin.
“I keni pagu 1.2 milionë qe ai m’u en poshtë e përpjet, jo vetëm me lobu për emrin e tij personal – me libra – por edhe për ndarje të Kosovës”.
Deputeti adresoi kritika edhe për financimin e projektit “Koorporata e mijëvjeçarit” dhe ndër të tjera edhe për një film që ishte ranguar i 12-ti nga 14 aplikantë.