Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e ndodhur më 27 janar të vitit 2016 në Suharekë.
“Në lidhje me rastin, pas një pune operative hetimore të zhvilluar nga Policia, me datën 19.03.2019 është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës për rastin e cilësuar si “Vrasje e rëndë&Vrasje e rëndë në ndihmë”, raporton Koha.net.
“Koha Ditore” pati raportuar për ngjarjen tragjike më 28 janar të vitit 2016.
Vrasja e Egzon Mazrekut, 22 vjeç nga fshati Sopi i Suharekës, dhe plagosja e babait të tij, Naimit 47 vjeç, dyshohet të ketë ndodhur gjatë kacafytjes me një person të dyshuar që kishte tentuar vjedhjen në shtëpinë tyre. Së paku ky ishte versioni të cilin e kanë ndërtuar hetuesit policorë dhe prokurori i Shtetit në bazë të shikimit të provave në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, të afërmit e viktimave dukshëm të tronditur e kishin përshkruar rastin si të tmerrshëm.
Drita Mazreku, që është njerka e Egzonit të ndjerë, kishte bërë të ditur se në natën tragjike, teksa ka qenë duke i pastruar fëmijët, kishte dëgjuar zhurmë të herëpashershme prej orës 18:00 deri në orën 19:00.
“Pasi i pastrova fëmijët, erdhëm me hangër bukë këtu. Xoni kishte hangër para nesh se ishte lodhë. Ka kërkuar peshqirin me shku me u la. Taman thashë çka po ban kjo zhurmë, e ka ndez dritën me dalë andej kah drutë me pa. Kur ka dalë atje, e ka pa një person që ka trokit në xham. I ka thanë babit, ‘babi ti mos dil’. Na kena dalë para Naimit, po ai na ka shty, ka dalë… Kur ka dalë e ka zatet në derë me armë në dorë atë person, t’u hy brenda. Naimi e ka shty, ai ka hy në shkallë dhe u rrok me Egzonin. Xoni më ka thënë largohu oj Dritë se ka armë”, rrëfente Drita pas ngjarjes tragjike, duke shtuar se ka dëgjuar 4-5 të shtëna armësh dhe pastaj e ka parë Egzonin të shtrirë përtokë. Pas kësaj, dorasi ka shtënë edhe në drejtim të Naimit.
“Më ka shty mu, burri ka dashtë me e kap, por e ka rrëzua burrin dhe e ka qëllua tri herë”, kishte deklaruar Drita. Në ato momente ajo kishte treguar se e kishte sulmuar dorasin me grushte. Pasi ia kishte përmendur policinë, i dyshuari kishte ikur.
“Kur ka dalë te rruga, u kthye, më ka pa a po e përcjelli ende apo jo. Pastaj ka ik avash-avash”, kishte shtuar Drita. Pati theksuar se ai s’ka pasur maskë, por se edhe pse e ka pasur para syve, fytyrën nuk ia ka parë qysh duket.
“E ka vra një djalë të ri, të pafajshëm. Kërkujt s’i ka ba keq”, pati thënë Drita, duke vajtuar për thjeshtrin e saj të vrarë.
Në anën tjetër, hetuesit dyshonin se viktimat kanë pësuar në shtëpinë e tyre nga një hajn i armatosur.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, pati theksuar se kjo është pista pas hetimeve fillestare.
“Dyshohet se një person i armatosur ka hyrë për të vjedhur në atë shtëpi. Është has nga familjarët, pra nga i ndjeri dhe nga viktima që është plagosur dhe ndodhet për shërim në spital”, pati thënë Hoxha. Ai kishte shtuar se bëhet fjalë për një rast mjaft të rëndë, sepse i dyshuari ka hyrë në shtëpinë e banorëve të fshatit Sopi me qëllim të vjedhjes dhe i armatosur.
“Sipas informatave të para ka qenë edhe i maskuar. Informatat e para thonë me një lloj maske. Por të shohim nëse dikush mundet me e identifikua, sepse kjo do t’i ndihmonte procesit të hetimeve për zbardhjen e rastit”, pati deklaruar Hoxha.
Në të njëjtën kohë pati pohuar se dyshohet se është gjuajtur me pistoletë 7.65 mm, pasi në vendin e ngjarjes nuk është gjetur arma, por tri gëzhoja.
“Me shikimin në vendin e ngjarjes janë parë disa gjurmë të hapjes së dyerve të dhomave, të cilat kanë qenë të mbyllura me çelës. Janë parë disa gjurmë që është tentuar hapja e një dere me forcë. Janë disa gjurmë që janë gjet në vendin e ngjarjes që na çojnë drejt konkludimit se motivi ka qenë vjedhja. Sipas informatave të Policisë, familja nuk ka qenë në marrëdhënie të këqija, prandaj nuk mund të vijmë te konkludimi se qëllimi ka qenë vrasja. Por hetimet do ta vërtetojnë motivin e këtij akti makabër”, pati theksuar Hoxha.
Ai pati konfirmuar se në lidhje me rastin janë intervistuar disa persona të dyshimtë.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha, ka bërë të ditur se në momentet kritike familja ka qenë duke banuar në bodrumin e shtëpisë, duke ngrënë darkë.
Kryeprokurori Hoxha pati theksuar se janë kryer bastisje në gjashtë lokacione të ndryshme, që nuk kishin sjellë ndonjë rezultat në kapjen e kryesit të dyshuar.
Të afërmit e kësaj familjeje patën kërkuar nga organet e hetuesisë që ta zbardhin sa më shpejt këtë rast. “Ngushëllimi i vetëm për familjen është nëse zbulohet ky rast”, pati thënë Eshref Mazreku, kushëri i viktimave. Ai pati theksuar se në këtë situatë shtrohet pyetja se sa janë të sigurt banorët e kësaj ane.
“Nuk dimë si do të jetojmë më tutje, kur e lëmë bukën në gjysmë, ngjitemi në katin e dytë dhe dikush na vret…Është rast më i rëndë se që truri mundet me akceptu”, pati deklaruar ai, duke kërkuar ndriçimin e plotë të rastit dhe vënien e drejtësisë.