Azaam Afaan nuk dëshiroi të vonohej. Varrosja e parë që nga sulmi terrorist i së premtes ishte gati të fillonte dhe ai e dinte se duhet të marrë pjesë, ndonëse nuk kishte njohuri për personin që po varrosej.
Duke shikuar përmes syzeve të errëta dhe duke u munduar të luftojë me lotët, ai thotë se dëshiroi të ishte pjesë e lamtumirës për dikë. “Është sikur shkurtim i frymëmarrjes”, tha ai, duke e shpjeguar ndjenjën e pritjes për fillimin e varrosjes pasi sulmuesi vrau 50 njerëz në dy xhami në Christchurch të Zelandës së Re. “Tash mund të marrim frymë lirshëm. Ata po shkojnë në vendin ku duhet të jenë”, shtoi ai.
Sipas ritualeve islame, personat e vdekur duhet të varrosen menjëherë dhe nuk duhet të vajtohen. Sidoqoftë, procesi i identifikimit të trupave është bërë në mënyrë shumë të kujdesshme, sipas standardeve ndërkombëtare dhe duke respektuar procedurat e rrepta të Zelandës së Re për viktimat e vrara.
“E kemi bërë këtë për 1400 vjet. Nuk kemi nevojë për udhëzime”, tha Saad Nasser, 57-vjeçar, përderisa po merrte pjesë në varrosjen e Khalid Mustafait dhe djalit të tij 16-vjeçar, Hamza Mustafa, të cilët kishin qenë refugjatë sirianë dhe që ishin vendosur në Zelandë të Re vitin e kaluar.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë para gazetarëve se e kupton zemërimin e familjeve të viktimave për vonimin e procesit të varrosjes. “E di që procesi ka qenë shumë i vështirë dhe tepër i ngadalshëm”, tha ajo.
Komisioneri i policisë, Mike Bush, njoftoi se autoritetet kanë punuar me orar të zgjatur dhe me ndihmë shtesë për ta përfunduar procesin e identifikimit të viktimave. Ai tha se personi i dyshuar për sulmin është arrestuar 21 minuta pas pranimit të thirrjes telefonike, shkruan “The New York Times”.