Qyteti i Londrës do ta pësojë humbjen e 7 mijë vendeve të punës në të ardhmen e afërt për shkak të Brexitit. Përpos kësaj, asete me vlerë 1 bilion funte do transferohen në qendrat financiare të BE-së, sipas një raporti të gazetës “Financial Times”.
Raporti që gjurmon qëllimet e 222 firmave të shërbimeve financiare që janë me bazë në Britaninë e Madhe ka zbuluar se deri më tash 23 kompani kanë njoftuar për transferimin e aseteve nga Britania në Evropë.
Sidoqoftë, totali i aseteve mund të jetë ndjeshëm më i madh se 1 bilion pasi që shumë firma të mbikëqyruara nga raporti nuk kanë deklaruar se sa prej aseteve do t’i transferojnë jashtë vendit. Vlera totale e deklaruar ishte 800 miliardë funte vetëm tre muaj më parë dhe ky fenomen po vazhdon të rritet me hapa të shpejtë.
Raporti, ndër të tjera, ka bërë edhe këto gjetje:
-Që nga referendumi, 63 për qind e bankave universale, bankave të investimeve dhe këmbimoret kanë konfirmuar ose po e shqyrtojnë zhvendosjen e operacioneve dhe stafit në Evropë.
-Dublini mbet si lokacioni më popullor, me 28 kompani që kanë thënë se kanë zhvendosur asetet në atë lokacion. Gjithsesi, qytete tjera po i afrohen, pasi që Frankfurti, Luksemburgu dhe Parisi gjithashtu po bëhen qendra të lakmueshme, shkruan “Funds Europe”.