Në një video që po qarkullon në rrjetin social “Facebook”, shihet deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, teksa punon zanatit e kovaçit në një punëtori. Kjo video është publikuar si kundërpërgjigje ndaj kritikave që iu bën atij pas deklarimeve të mbrëmshme për punësimet e familjarëve të zyrtarëve të AAK-së.
Në atë video, Berisha shfaqet si punëtor i zellshëm në një punëtori, teksa punon si zanatli.
Videoja i është publikuar atij nga dikush tjetër në facebook.
“Deputeti i republikes se kosoves puntore dhe zanatli ne te gjitha fushat e jetes. Praktik 100%. Te lumtë Bekë Berisha te gjitheve na ki prap. Plas dushman zoti te vraftë”, shkruhet në përshkrimin e asaj videoje.
Kjo video përkrahëse për deputetin Berisha u publikua pas përplasjeve që ky i fundit i pati me deputetë të LDK’së, konkretikisht me Lumir Abdixhikun për çështjen e punësimeve politike e partiake.
Përveç kësaj, të gjithë u tallen me një deklaratë të Berishës të thënë mbrëmë, se të rinjtë nuk duhet të insistojnë të shkojnë jashtë vendit, pasi atje nuk kanë kushte më të mira të punës.
Madje, ai kishte thënë se vëllezërit e tij nuk lahen nga një javë, e udhëtojnë me qindra kilometra për të shkuar në punë.