Pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme për zgjedhje të parakohshme Qeveria aktuale e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj po vazhdon të funksionojë ndonëse koalicioni qeverisës nuk i ka as 61 numra në Kuvend. Pavarësisht zotimeve për t’i dhënë fund Qeverisë opozita e pranon që nuk i ka numrat e nevojshëm për ta bërë një hap të tillë aktualisht, shkruan Gazeta “Zëri”.
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se nëse krijohen rrethanat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme askush nuk mund ta pengojë një gjë të tillë. “Të zgjedhurit e Kuvendit të Kosovës kanë një mandat 4-vjeçar dhe unë besoj që nëse rrethanat krijohen për zgjedhje të reja, atëherë askush nuk mund t’i ndalojë ato, asnjë parti nuk mund t’i ndalojë ato. Edhe PDK-ja nuk e ka kompleksin e asaj sepse do të jetë partia e parë”, ka deklaruar ai. Por sipas Halitit në zgjedhje nuk duhet të shkohet me mocion mosbesimi, por nëpërmjet ndonjë forme tjetër që mund të jetë më e përshtatshme. “Mendoj që në këto rrethana që është Kosova ka nevojë të ketë një bashkëpunim mes partive politike për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës”, ka shtuar ai. Ndërkohë ka thënë se Kosova aktualisht nuk përfiton nga shkuarja në zgjedhje nëse vendi mbetet sërish në situatën e njëjtë siç është tani, shkruan Gazeta “Zëri”.
Kurse deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se LVV-ja vazhdon të konsiderojë që vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Megjithëkëtë, Kurteshi ka pohuar se opozita momentalisht nuk i ka numrat e nevojshëm për ta konkretizuar një gjë të tillë.
“Nuk është hera e parë që ne deklarohemi që jemi për zgjedhje të parakohshme, por nuk i kemi numrat. Mirëpo interesimi është, ka kontakte me deputetë, sepse për t’i bërë numrat duhet ta kemi përkrahjen edhe të ndonjë deputeti të pozitës, një gjë e tillë nuk ekziston”, ka shtuar ai.
Deputeti i LVV-së më tej ka thënë se kjo parti nuk bashkëpunon me Listën Serbe për t’i dhënë fund Qeverisë.
“Nuk jemi të interesuar për të bashkëpunuar me Listën Serbe as për rrëzimin e Qeverisë, sepse deputetët e Listës Serbe hapur janë në funksion të interesave të Serbisë e Serbia është shtet armik i Kosovës”, ka shtuar Kurteshi.