Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se Beogradi e Prishtina janë “një det” larg nga tejkalimi i ngecjes në dialog, ndërsa vetë vazhdimi varet më së shumti nga Prishtina dhe presioni i amerikanëve, transmeton Koha.net raportimin e mediave serbe.
Gjatë një emisioni “Pa ngurrim” në kanalin Youtube “Pa censurë” presidenti serb u shpreh se pavarësisht nga kjo, kompromisi i Serbisë është thelbësor për stabilitetin, por një kompromis në bazë të ripërcaktimit të kufirit që ishte “një ide që do të mund të çonte nga zgjidhja”, sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë, meqë këtë nuk e donë as gjermanët, as shqiptarët.
Siç e citojnë mediat serbe, Vuçiq ka thënë se “ndërsa ata (e ka fjalën për shqiptarët – v.j) nuk e dinë çfarë duan, Serbia është ajo që për herë të parë e di çfarë do”, ndonëse ai nuk ka dalë as para Kuvendit, as para popullit me propozim të zgjidhjes, meqë “secili propozim me kompromis është refuzuar”, transmeton Koha.net raportimet.
Në lidhje me vizitën e paradokohshme të parlamentarëve gjermanë në Beograd e në Prishtinë, Vuçiq tha se bëhet fjalë për “personalitete me shumë ndikim” duke sqaruar se mesazhet e tyre ishin se ata janë kundër rikufizimit, në fakt se janë që Kosova të jetë e tëra e pavarur, një fakt që “duhet të dinë njerëzit e Serbisë”.
“Kur thoni për dikë se është kundër idesë për ripërcaktim të kufirit, i shtoni pas, P.S. – të tillët janë që Kosova të jetë e tëra e pavarur”, ka sqaruar Vuçiq.
Në lidhje me mesazhet e përfaqësuesve ndërkombëtarë se janë kundër ndryshimit të kufijve, Vuçiq u përgjigj: “S’ka problem, Kosova është Serbi, kështu shkruan në Kushtetutën tonë”, është shprehur ai.
Për rikufizimin ka thënë se është “ide që do të mund të çonte në zgjidhje”, por “prej saj nuk ka gjë, sepse kundër janë gjermanët, nuk duan as shqiptarët”.
Ku është pyetur se çfarë ka ofruar Serbia, Vuçiq është përgjigjur: “Nuk është ofruar asgjë”
“Biseduam rreth asaj meqë e kemi kështu situatën në Kosovë kur Spanjollët e italianët kanë kufij të ndryshëm, kinezët e amerikanët kufij të ndryshëm, rusët e gjermanët kufij të ndryshëm, ja ta provojmë të bëjmë kompromis”, sikur ka sqaruar presidenti serb konfuzionin, që askush s’po e kupton tamam, rikujton Koha.net.
I pyetur se kush e kishte autorizuar të ofronte kësi kompromisi, Vuçiq u është përgjigjur gazetarëve: “E çfarë kompromisi do tç ofronit ju?”.
Në vërejtjen e gazetarëve se Serbia duhet të tregojë unitet dhe të di se ku i ka vijat e kuqe në lidhje me Kosovën, Vuçiq është përgjigjur “Serbia e di çfarë do”.
“Unë mendoj se shqiptarët nuk e dinë çfarë donë, ndërsa mendoj se serbët, për herë të parë, e dinë. Mendoj se shqiptarët po bëjnë gabimet çfarë i bënim ne në fillim të viteve të ’90-ta”, është shprehur Vuçiq.
“Çfarëdo që të jemi, budallenj nuk jemi. Dhe më mirë është të bisedohet 100 vjet, sesa një ditë të luftohet”, ka thënë ai.