Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, njofton opinionin se Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit Astrit Pacolli.
Kjo me dyshimin se ka kryer veprat penale “Grabitja” si dhe veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Ekziston dyshimi i bazuar, se më 20.03.2019, rreth orës 18:26 minuta, në rrugën “Bajram Gashi” në Lipjan, konkretisht në kazinon “Matrix”, i pandehuri Astrit Pacolli, me përdorimin e forcës, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i njëjti me armë zjarri (pistoletë), ka gjuajtur dy herë në drejtim të viktimës, me ç’ rast viktima (Florent Ahmetaj) nga plagët e marra, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kurse i pandehuri nga viktima ka marrë shumën e parave në vlerë prej 2700€ dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Pas angazhimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, të udhëhequr nga Prokurori i Shtetit, kanë arritur të bëjnë identifikimin, zbulimin e vendndodhjes dhe arrestimin e të dyshuarit, më 03.04.2019.
Po ashtu, ju njoftojmë se, sot, më 05.04.2019, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, do të mbahet seanca dëgjimore, për shqyrtimin e masës për caktimin e paraburgimit, të propozuar nga prokurori i çështjes, bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.