Në 20 vjetorin e masakrës së Rezallës, familjarët kujtojnë ditën që ju morën më të dashurit e tyre. Ndërkohë që u tha se janë të zhgënjyer nga institucionet e drejtësisë për zbardhjen e të gjitha krimeve nga forcat serbe në Kosovë.
Isha ushtar i UÇK-së, shokët më sollën orën e babës e më thanë baba t’u është vra bashkë me 50 të masakruarit në Rezallë, rrëfen Ali Kelmendi njëri nga familjarët e të masakruarve atë ditë
“Moment i rëndë. Kam qenë i veshur ushtarë dhe shokët më kanë prurë orën e tij. Kemi shkuar e kemi marrë babën dhe e kemi varrosur në varrezat e Marinës. Disa janë gjetur disa tjerë ende nuk kanë mundur të gjenden”, rrëfen për RTV Dukagjinin, Ali Kelmendi.
Xhevat Aruqi i cili po ashtu ka humbur babin në masakrën e Rezallës, nuk mund të përmbahet kur tregon se tek pas 16 vitesh e kishte gjetur trupin e tij.
Ai rrëfen për 5 prillin e vitit 1999, ditën kur kishin mbledhur banorë të Rezallës e i kishin masakruar.
“Mbaj në mend që është rrethuar fshati nga të gjitha anët. Kanë marrë pleqtë dhe fëmijët dhe i kanë tubuar në këtë vend. I kanë nda gratë prej fëmijëve dhe i kanë vra djemtë 15 vjeçar”, shprehet Xhevat Aruqi.
Masakra e Rezallës, Aruqit i mori edhe djalin e axhës, kushëririn e parë dhe njerkën.
Aktin makabër e kishte parë më sytë e tij Behar Deliu, atij, i kishin vrarë vëllanë, kur më pastaj këtë e kish vënë re nëna e tij.
“Ka shkuar pluhur, piskamë. Vëllain e ka kapur nëna. Ai i është ankuar duke i thënë “nënë kam dhimbje të barkut”. Kur nëna i ka vendosur dorën te barku, e ka parë që aty po rrjedh gjak”, rrëfen Behar Deliu.
Të gjithë këta të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, nuk janë të kënaqur nga organet e drejtësisë, ndërkaq ankesa patën edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare për zbardhjen e këtyre rasteve.