Ky pallat që shihni në foto i cilësuar në media si “përbindëshi” është ndërtuar buzë detit në Durrës, në zonën e njohur si Shkëmbi i Kavajës. Objekti ka plot 13 kate pa leje.
Instituti i Ndërtimit ka hartuar një relacion ku rekomandon prishjen e pallatit 28-katësh.
Sipas raportit, konstatohet se ky objekt ka probleme të shumta duke rrezikuar shembjen, ndërkohë që edhe leja e ndërtimit është shkelur. Top Channel raporton se pas këtij relacioni, drejtori i Institutit të Ndërtimit, inxhiner Agron Hysenlliu është kërcënuar nga pronari i pallatit, zoti Enver Shala. Nga ana tjetër policia thotë se ndërtuesi në fjalë është shpallur në kërkim.
Rreth dy vite më parë, konstruksionet metalike të 3 kateve të fundit shtesë që po u ndërtonin u shembën duke rrezikuar jetën e punëtorëve, por edhe të banorëve. Po në vitin 2017, Enver Shala u ndalua nga Policia e Durrësit dhe u hetua në gjendje të lirë për shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Të njëjtit sipërmarrës i është prishur edhe një tjetër objekt, siç ishte kompleksi Kamelia në Durrës, në vitin 2013. Ai po ashtu është ndërtuesi i një tjetër pallati gati 30-katësh në afërsi të Portit të Durrësit, ku 8 kate shtesë janë pa leje. Disa herë janë ndërmarrë iniciativa nga autoritetet lokale dhe qendrore për të ndërhyrë në shtesat e kateve që ka bërë ky sipërmarrës në objektet e ndërtuara prej tij, por në asnjë rast nuk është vepruar.
Nuk ka ende asnjë informacion nga Inspektoriati Ndërtimor (IKMT) se kur do të shembet ky objekt, pasi tashmë edhe i populluar me banorë.