Të paktën 13 persona janë proceduar nga policia pas një ditë më parë i bllokuan rrugën kryeministrit Edi Rama në hyrje të qytetit të Kukësit, i cili do të merrte pjesë në një miting me mbështetës në kuadër të turit “Bashkia që duam”.
Mbështetës të shumtë të opozitës u mblodhën të premten mbi urën e Kukësit, duke bërë që kryeministri të ndryshojë itinerar dhe të udhëtojë me helikopter drejt qytetit verilindor.
Protestuesit, të gjithë mbështetës të PD nga Kukësi dhe Hasi, do hetohen në gjendje të lirë për kundërshtim të forcave të policisë dhe pengim të qarkullimit të automjeteve. Për disa minuta ditën e djeshme në Rrugën e Kombit u bllokua lëvizja e makinave.