E martë, 15 Nentor 2016 – Sakte.net /
Ministria e Integrimit Evropian (MIE) do të paguajë 17.5 euro për një ombrellë. Ministria do t’i blejë 50 të tilla dhe për to do të paguajë 875 euro.
Blerjen e këtyre ombrellave, MIE e ka bërë përmes procedurës së mbyllur të prokurimit, pra pa njoftim për kontratë.
Në faqen zyrtare të Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) është publikuar njoftimi për nënshkrimin e kontratës për tenderin “Furnizim me ombrella për nevoja të MIE-së”.
Kjo Ministri për këtë aktivitet të prokurimit nënshkroi kontratën në vlerë prej 875 euro, për të cilën thotë se ka qenë oferta më e lirë e pranuar nga tre operatorë sa kanë marrë pjesë në këtë tender të mbyllur.
Në një kalkulim të thjeshtë i bie që një ombrellë kësaj Ministrie i kushtoi 17,5 euro.
Çmimi i një çadre në tregun e Kosovës ndryshon varësisht nga cilësia. Më e lira është 1,5 euro.
Zyra për Informim e Ministrisë së Integrimit Evropian për KALLXO.com thotë se 50 ombrella janë blerë me logo të këtij institucioni.
“Në bazë të kërkesës janë blerë 50 ombrella me logo të MIE-së, të madhësisë mesatare dhe të kualitetit të lartë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
MIE tregon arsyen e blerjes së këtyre ombrellave.
“Ombrellat janë për qëllime përfaqësimi, si dhurata për personalitete të larta shtetërore që vizitojnë Kosovën dhe kanë takime protokollare me përfaqësuesit e MIE-së”, thuhet në përgjigjen e kthyer për KALLXO.com.
Në një paraqitje publike, derisa mbante fjalimin gjatë përurimit të Autostradës “Ibrahim Rugova, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në mungesë të një ombrelle ishte zbardhur nga bora.