Kuvendi i Kosovës sot mban seancë plenare, ku do të shqyrtohen 51 pikat e mbetura nga seancat e kaluara.
Sipas njoftimit të Kuvendit, për shumicën e pikave, ka përfunduar shqyrtimi dhe vetëm do të hedhen në votim, por janë edhe disa projektligje që do të shqyrtohen.
Po ashtu, janë paraparë edhe dy interpelanca. Ajo e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me mos-caktimin dhe rritjen e pagës minimale në Republikën e Kosovës dhe interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sipas kërkesës së kryetarit të GP-Partia Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, i mbështetur edhe nga 11 deputetë, në lidhje me themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës Sh. A/NKEC.
Vazhdimi i Seancës plenare
E Enjte, 11.04.2019 – 10:00
Rendi i ditës
I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, mbajtur me 30 janar 2019:
1. Votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Protokollin Shtesë 5 të Marrëveshjes për Amendimin dhe Aderimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, 2. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore, 3. Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, 4. Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018, për vazhdimin e mandatit edhe për një afat 30 ditor, 5. Votimi në parim i Projektligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës.
II. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 28 shkurt 2019:
1. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete, 2. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale, 3. Votimi në lexim të dytë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, 4. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë, 5. Votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e gjashtë (6) anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, 6. Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2019, 7. Formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për pesë (5) anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
III. Pikat e papërfunduara nga seanca plenare, mbajtur më 7 mars 2019:
1. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat personale, 2. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit për tatimin në të ardhurat e korporatave, 3. Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017, 4. Votimi i Raportit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, 5. Votimi i Raportit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, 6. Votimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017, 7. Votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2017, 8. Votimi për emërimin e 7 (shtatë) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për trashëgimi Kulturore, 9. Votimi për shkarkimin e një (1) anëtari të Bordit të Autoritetit Rregullator të komunikimeve elektronike dhe postare. 10. Votimi i Vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e Ligjit nr. 06/L-043 për Lirinë e asociimit në organizata joqeveritare, 11. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës. 12. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, 13. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me dështimet e koalicionit qeverisës të cilat kulmuan me mos liberalizim të vizave. 14. Votimi në parim i Projektligjit për transmetuesin publik të Kosovës, 15. Votimi në parim i Projektligjit për peticione, 16. Votimi në parim i Projektligjit për mbrojtjen nga zhurma, 17. Votimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, 18. Votimi në parim i Projektligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, 19. Votimi në parim i Projektligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve. 20. Votimi i rekomandimeve nga debati parlamentar në lidhje me rastin e ngacmimit seksual, përdhunimit seksual dhe abortit të paligjshëm ndaj të miturës dhe përgjegjësinë institucionale të Qeverisë së Kosovës. 21. Miratimi i Deklaratës në lidhje me vëllezërit Bytyqi, 22. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, 23. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2004/22 për Kinematografinë, 24. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-065 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, 25. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-097 për bibliotekat, 26. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për plotësim ndryshim të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, 27. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-042 për rregullimin e shërbimeve të ujit, 28. Shqyrtimi i parë i Projekt-kodit të Procedurës penale, 29. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim, 30. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, 31. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Diasporën, 32. Shqyrtimi i parë i Projektligjit të Punës, 33. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Pronën Publike, 34. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për pijet e forta alkoolike, 35. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/l-061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.04/l-247, 36. Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me mos-caktimin dhe rritjen e pagës minimale në Republikën e Kosovës, 37. Interpelanca e Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, z. Valdrin Lluka, sipas kërkesës së kryetarit të GP-Partia Socialdemokrate, z. Dardan Sejdiu, i mbështetur edhe nga 11 deputetë, në lidhje me themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës Sh. A/NKEC.
IV. Pika e pa përfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, mbajtur më 12 mars 2019:
1. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara.
V. Pika e pa përfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, mbajtur më 13 mars 2019:
1. Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti.