Lista Serbe ‘paralizon’ Kuvendin, kërkohet ndryshimi i Kushtetutës

Deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës tash e disa muaj e kanë bojkotuar punën në këtë institucion, ani pse paguhen

Pakicat serbe dhe pakicat e tjera i kanë të garantuara në Kuvendin e Kosovës plot 20 ulëse nga 120 sa janë në total dhe ligjet me rëndësi vitale për shtetin që të votohen në Kuvend, kërkohet edhe 2/3 e votave të deputetëve jo-shumicë, shkruan lajmi.net.

Kjo po e pengon punën e Kuvendit të Kosovës që të votohen ligje me rëndësi siç është edhe Ligji për Arsimin e Lartë i cili tash e sa kohë po mbetet peng i votës së pakicave serbe.

Lajmi.net ka biseduar me deputeten e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra e cila është shprehur se Kuvendi i Kosovës është sfiduar me bojkotin e Listës Serbe, duke shtuar se partitë politike duhet të mendojnë për një zgjidhje të këtij problemi.

“Mendoj që ne jemi sfiduar me bojkotin e Listës Serbe e cila edhe pse i ka marrë votat dhe pagën në Kuvend po i dështon ligjet që janë të rëndësishme me kalu në Kuvendin e Kosovës. Unë mendoj që partitë politike sidomos pas këtij precedani të mendojnë në zgjedhjet e ardhshme si me iu qasë kësaj problematike”, tha Deliu – Kodra për lajmi.net.

Deliu – Kodra gjithashtu ka shtuar se duhet që partitë politike ta adresojnë këtë çështje në mënyrë që në legjislaturat e ardhshme të mos ketë telashe të tilla të cilat sipas saj edhe e dëmtojnë demokracinë.

“Në mënyrë që një subjekt politik ose një komunitet që është determinues për votimin e ligjeve që kërkojnë 2/3, sidomos ligjet që janë me ndjeshmëri të veçantë do të duhej me qenë në Kuvend dhe me e pa partitë politike se si me e adresu në mënyrë që Parlamenti në legjislaturën e ardhshme të mos ketë telashe të tilla që e lëndojnë demokracinë dhe ligjet që janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës pa dallim”, tha Deliu – Kodra.

Ajo në fund gjithashtu është shprehur se shembull Ligji për Arsimin e Lartë nuk është ligj vetëm për shqiptarët por për të gjithë qytetarët e Kosovës, që do të thotë se Lista Serbe do të duhej të ishte në Kuvend për të votuar

“Ligji për Arsimin e Lartë do të thotë nuk është ligj vetëm për komunitetin shqiptar, por është ligj i cili bëhet për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe ata që kanë mandat, do të thotë Lista Serbe do të duhej të ishte në Kuvend që të votoj këto ligje sepse është votu për me i përfaqësu interesat e qytetarëve të Kosovës. Unë besoj që partitë politike kanë me e adresu këtë shqetësim dhe me e pa se si me e ba zgjidhjen sepse nuk është shqetësim i vogël”, tha Deliu – Kodra për lajmi.net në fund.

E deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi në prononcimin për lajmi.net është shprehur se Kushtetuta e Kosovës i ka mundësuar në njëfarë mënyre funksionimin normal të shtetit, duke i mundësuar serbëve të bllokojnë gjëra të rëndësishme për Kosovën.

Kurteshi gjithashtu është shprehur se duhet të gjendet një zgjidhje dhe të ndryshohet kushtetuta në ato pika ku minoriteteve iu mundësohet bllokimi i shtetit.

“Janë disa çështje në kushtetutën e Kosovës që në njëfarë mënyre e kanë blloku funksionimin normal të shtetit të Kosovës duke ia mundësuar minoriteteve, në këtë rast po flas për minoritetin serb të bllokojnë gjëra të cilat absolutisht nuk lidhen me të drejtat elementare të pakicave, siç është edhe ligji për arsimin e lartë dhe plot ligje të tjera që mendoj se do të duhej patjetër me e gjetë një zgjidhje dhe me e ndërru kushtetutën në këto pika ku vërtetë një komunitet i cili jo vetëm që i ka të gjitha të drejtat por edhe është i privilegjuar dhe shembuj të tillë nuk gjen askund të bëhet pengesë”, tha Kurteshi për lajmi.net.

Kurteshi gjithashtu është shprehur se nuk është e çuditshme kjo sjellje e Listës Serbe sepse duke i parë edhe deklaratat e ministrit dhe zëvendësministrit serbë të Kosovës sepse ata udhëhiqen nga politika hegjemoniste e Serbisë.

“Por kur dihet se Lista Serbe është kundër shtetit të Kosovës, pra ju e patë para disa ditëve deklaratën e një ministri, më herët edhe të një zëvendësministri se çfarë mendon për Kosovën, dëshmorët, viktimat e luftës, atëherë nuk është çudi se ata udhëhiqen nga politika hegjemoniste e Serbisë që nuk është politikë e sodit”, tha Kurteshi për lajmi.net.

Kurteshi gjithashtu ka shtuar se pakicat në Kosovë duhet të trajtohen si në vendin më demokratik në botë por duhet të përfaqësohen me votat që i marrin.

“Unë mendoj që pakicat në Kosovë duhet të trajtohen sikur pakicat në vendin më demokratik në botë, nuk ka askund në botë që pakicave iu mundësohet bllokimi funksional i institucioneve. Të drejtat që i kanë pra me këtë shumicën e dyfishtë por natyrisht se përfaqësimi i tyre në Kuvendin e Kosovës, sepse kuvendi është institucion përfaqësues, pra duhet të përfaqësohen me votat që i marrin. Mund të ketë shembull që nëse nuk marrin asnjë përfaqësues me votë, t’iu garantohet 1 ose 2, por nuk  janë 10 për qind të qytetarëve të Kosovës serbë dhe nuk janë 20 për qind të qytetarëve jo-shqiptar”, tha Kurteshi në fund për lajmi.net.

Edhe ministrat nga Lista Serbe në qeverinë e Kosovës kishin bojkotuar detyrën e tyre për muaj të tërë derisa kryeministri i vendit, Haradinaj morri vendimin për shkarkimin e tyre.

Lista Serbe kishte penguar edhe votimin e ligjit për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës dhe ligje të tjera me interes vital për vendin.

E ekspertët e çështjeve politike shpesh i kanë përmendur ulëset e garantuara si problem kyç.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme