Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti po cilëson se Kuvendi është duke u mbajtur peng nga koalicioni qeverisës.
Ai ka thënë se PAN-i po e shfrytëzon pa legjitimitet situatën e mungesës së deputetëve, raporton lajmi.net.
“Në sesionin vjeshtor 2018, të 11 seancat e filluara patën mbetur të hapura. Pikat e rendit të ditës të atyre seancave u bartur në këtë vit”, ka shkruajtur në Facebook Avdullah Hoti.
Ky është postimi i tij në Facebook:
Kuvendi i Kosovës ka kohë që po mbahet peng nga PAN-i, një pakicë qeverisëse pa legjitimitet që po e shfrytëzon situatën e krijuar nga mungesa e një grupi të deputetëve që përfaqësojnë komunitetet pakicë.
Në sesionin vjeshtor 2018, të 11 seancat e filluara patën mbetur të hapura. Pikat e rendit të ditës të atyre seancave u bartur në këtë vit.
Sivjet prapë është e njëjta situatë. Janë 8 seanca të hapura me 61 pika të rendit të ditës.
I gjendur në një situatë të tillë të pafuqisë politike për të siguruar funksionimin e rregullt të Kuvendit të Kosovës, Kryetari i Kuvendit si hef i PAN-it i lut tani grupet parlamentare që t’i diskutojnë çështjet që presin për votim me deputetë dhe të dakordohen për datën e votimit të tyre.
Deputetët e opozitës janë duke folur qartë për gati një vit. Përmes mos votimit, deputetët e opozitës i kanë treguar koalicionit PAN se nuk ka legjitimitet për të qeverisur.