Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj ka thënë se do të ia ndalonte hyrjen në Koshare deputetit të PSD-së, Fisnik Ismailit, po ta dinte në luftë se i biri i kujt është.
Në një prononcim për Insajderin, Haradinaj ka treguar versionin e tij për Betejen e Kosharës, që së fundmi është kthyer në temë diskutimi.
“Me pasë ditë që ai është djali i Muharrem Ismailit, ai kurrë aty s’kish guxu me ardhë, kurrë. E ka pasë t’ndalume Kosharen me pasë ditë unë që ai është djali i Muharrem Ismailit. Jo ndalu, po s’kishin guxu as me u ngjitë përpjetë”, ka thënë Haradinaj.
Ismaili në një emision televiziv ka thënë se në Koshare ishte përgjegjës për pajisjet e komunikimit edhe radiolidhjeve. Në këtë mënyrë, thoshte se ka pasur komunikim të vazhdueshëm me komandantët, por se si i tillë thoshte se nuk mban mend t’i jetë prezantuar Nasim Haradinaj.
“Unë e di që ka qenë shkurt aty, ka hy e ka dalë. Nuk mu ka prezantu si njëri prej komandantëve me të cilët kam pasur punë. Nuk ia di as nofkën dhe s’e di a ka pasur nofkë. Nuk e di as cilën togë e as çka ka komandu”, kishte thënë Ismaili.
Këtë deklaratë nuk e ka pritur mirë Nasim Haradinaj.
Ai ka thënë se Fisnik Ismaili ka qenë ‘rang i ulët’ në luftë dhe për këtë arsye nuk ka pasur nevojë ta shoh atë, duke u shprehur i bindur se dikush i ka treguar Ismailit që Haradinaj ka qenë komandant në Betejën e Koshares.
“Fisnik Ismaili e shpjegoi fort mirë se ai u kanë në njëfarë shupe brenda aty ku s’i ka pa gjinën. Fisnik Ismaili u kanë një rang i ulët që s’ka pasë nevojë me m’pa. E potencoj që atij i ka kallëzu dikush që jam komandant, ani pse ai u tregu trim, a po kupton. Fisnik Ismaili s’u kanë n’rend për me më ngjoftë mu a jam kanë komandant a jo”, ka thënë Haradinaj.
Madje, sipas Haradinajt, nëse Ismaili do ta thoshte këtë version atë kohë, do të ishte invelid dhe jo veteran lufte.
“Fisnik Ismailit me ia pasë jep krejt dyjenë, atë prozën, atë tregimin që e maron, krejt botën me ia pasë dhanë, nuk kish guxu me thanë, se ish invalid, s’ish veteran. Me m’pasë thanë ai mu çka thotë m’ka thanë, ai sot ish invalid lufte, nuk ish veteran”, ka theksuar ai.
Haradinaj thotë se e ka punën e Ismailit në luftë e ka përshkruar njësoj si ai.
“Ka reagu shumë gabim, se unë kam thanë që kurrgja tjetër s’ka ba, veç çka kam thanë unë. Ka mbush bateria, që e potencoi edhe vet, ma vërtetoi, edhe i ka ba kopjet. Unë ngjashëm kam thanë. Asnjë sen tjetër s’e kam thanë”, ka shtuar Haradinaj.
Nënkryetari i OVL të UÇK-së ka thënë se Ismaili e di se “a ka qenë i madh apo i vogël” Nasim Haradinaj në luftë, por ky diskutim, sipas Haradinajt, i duhet Ismailit për politikë.
“A jam kanë i madh a i vogël e din ai vet. Atij i vyn pak për politika”, ka thënë në fund Haradinaj.